Pedagogët, sot peticioni te Nikolla: 10 ditë afat ose grevë

542
Mosdhënia e pagave për 6.600 pedagogë në të gjitha universitetet publike të vendit u bë shkak që Forumi i Pedagogëve në Universitetin e Tiranës të fliste publikisht për problematikën që ka mbërthyer institucionet e arsimit të lartë prej disa kohësh. Rreth 3 vite pas hyrjes në fuqi të ligjit të Arsimit të Lartë, pedagogët e Universitetit të Tiranës i kërkojnë qeverisë të ndryshojë ligjin, me argumentin se sipas tyre është shkaktari i të gjitha problemeve në universitetet publike, e në veçanti në Universitetin e Tiranës, ku konflikti është edhe më i thellë. Pasi bënë publik qëndrimin e tyre, një përfaqësi e Forumit të Pedagogëve do të dërgojnë sot një kërkesë zyrtare në Ministrinë e Arsimit, me të gjitha pikat specifike, që sipas profesorëve do të zgjidhnin përfundimisht ngërçin në sistemin e lartë publik. Por, nëse Ministria e Arsimit nuk pranon të negociojë, Forumi i Pedagogëve thotë se do të hyjë në grevë. Ky është paralajmërimi i fundit, që pedagogët thonë se i bëjnë qeverisë. Ata vendosin një afat 10-ditor për të zhvilluar bisedimet e nevojshme për amendimin e disa prej neneve të ligjit, ku më kryesori mbetet ai i financimit. Pedagogët e Universitetit të Tiranës kërkojnë konkretisht amendimin e ligjit të Arsimit të Lartë, me qëllim reduktimin e kompetencave të Bordit, pra të ketë thjesht kompetenca menaxheriale dhe të japë llogari në Rektorat dhe te Kontrolli i Lartë i Shtetit; rritjen e financimit të Universitetit dhe pagat e pedagogëve të mbulohen 100% nga shteti; transparencë për korpusin universitar si dhe të bllokohet çdo proces akreditimi në këtë situatë. Këto janë kërkesat që ministrja Nikolla do të gjejë në tryezën e saj, ndërsa nuk dihet ende me siguri se cili do të jetë reagimi i saj. Kryeministri Rama ishte i qartë në takimin me Senatin e Universitetit të Tiranës, kur tha se problemi themelor që UT ka sot është ai me vetveten, as me qeverinë, as me legjislacionin, duke lënë të kuptohet se ligji i ri i Arsimit të Lartë nuk do të ndryshojë.
Sigal