PE kalon projektrezolutën për Shqipërinë: “Zgjedhjet test, të jepet statusi kandidat”

372
Sigal

Komisioni i punëve të jashtme të Parlamentit Europian ka dhënë mbështetjen për statusin e kandidatit për Shqipërinë, duke aprovuar me 61 vota pro, dy absenime dhe 1 kundër raportin e Nikolaos Chountis. Eurodeputetët kanë dhënë një mbështetje për tre amendamentet kyçe në raport. Ata i bëjnë thirrje shteteve anëtare që ti japin pa humbur kohë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Së dyti, ata bëjnë apel për përgjegjësinë e klasës politike shqiptare për të treguar pjekurinë dhe seriozitetin e duhur në përmbushjen e tre kushteve të mbetura pezull dhe së treti eurodeputetët konsiderojnë se zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 janë një test i rëndësishëm i pjekurisë së demokracisë së vendit. Në këtë kontekst, eurodeputetët i bëjnë thirrje të gjitha forcave politike të zhvillojnë fushatë dhe zgjedhje të lira e të ndershme dhe të punojnë së bashku për të përmirësuar klimën politike në vend. Në projektrezolutë shprehet shqetësimi për progresin e pamjaftueshëm në sistemin gjyqësor dhe nënvizohet rëndësia e zhvillimit të një drejtësie të pakorruptuar, të pavarur dhe transparente. Raporti i përgatitur nga Nikolaos Chountis shpreh shqetësim të thellë edhe për nivelin e lartë, megjithëse në rënie, të papunësisë dhe për numrin e lartë të shqiptarëve që jetojnë ende nën kufirin e varfërisë. Pas aprovimit në komision të jashtëm, rezoluta pritet të votohet në seancë plenare në muajin dhjetor në Strasbourg.