PDIU shpreh indinjatën për shtyrjen e vendimit ndaj Haradinajt

448
Partia Drejtësi Integrim Unitet ka reaguar ditën e sotme në lidhje me shtyrjen e vendimit ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Partia Drejtësi Integrim Unitet shpreh indinjatën e thellë për shtyrjen e gjyqit ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili është duke u mbajtur padrejtësisht peng i disa akt-akuzave të gatuara në kuzhinën shoviniste serbe”, thuhet në deklaratë.
PDIU thotë se pafajësia e Haradinajt është vërtetuar katërcipërisht nga proceset e stërgjatura e sfilitëse të Gjykatës së Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi dhe nuk ka asnjë arsye logjike që gjyqësori francez të përfill akt-akuzat e ngritura nga ish-shërbëtorët e Milosheviçit.
“Ne i bëjmë thirrje autoriteteve franceze dhe partnerëve tanë ndërkombëtar që mos të bien pre e mashtrimeve dhe montimeve të shtetit serb ndaj luftëtarëve tanë. Po ashtu shprehim bindjen e plotë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë një luftë e drejtë dhe e kulluar dhe se askush nuk do të mund të hedh baltë mbi këtë etapë të lavdishme të historisë së popullit shqiptar dhe mbi luftëtarët tanë të lirisë”.
Sigal