PDIU prezanton programin zgjedhor, Idrizi: Do fitojmë katër bashki dhe do të dyfishojmë votat

554
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet çeli dje fushatën elektorale në Pallatin e Kongreseve përpara mijra përkrahësve të saj. Çelja e fushatës nisi me shpalosjen e programit elektoral të PDIU-së për pushtetin vendor, hartuar nga një grup pune i përbërë nga dhjetra studiues të diplomuar jashtë vendit dhe me përvojë në fushat përkatëse.
“Ne jemi në drejtimin e duhur dhe drejt suksesit. Ju sot më jepni të plotë bindjen se PDIU nuk është më një parti e vogël por një parti e madhe. Është parti kombëtare, është parti e të gjithë shqiptarëve të ndershëm kudo që ndodhen, në Shqipëri, në Kosovë, në Kumanovë e kudo.Para meje foli motra ime Vjollca Braho. E kujtoj shumë mirë kur në një sallë të vogël themeluam PDIU-në dhe ja ku jemi tani me kauzën e vendosur së identitetit dhe hartës kombëtare siç është vendosja e krahinës së Çamërisë. Ne kemi sloganin “Ne e duam Shqipërinë”, se e duam Shqipërinë pa jug dhe veri, e duam bashkë. PDIU është e vetmja parti që ka një program të detajuar”, u shpreh Idrizi.
Më tej ai shprehu bindjen se PDIU do të fitojë katër bashkitë ku kandidon nën siglën e ASHE-së dhe do të dyfishojë rezultatin zgjedhor në të gjithë Shqipërinë. “Na etiketojnë, Partia e çamëve, po ne jemi partia e çamëve, jemi partia e kuksianëve, partia e devollinjve, partia e të gjithë shqiptarëve. Nuk ka Dule, nuk ka shërbëtor që të na tregojë neve çamëve që kemi qenë të pasur. Ne jemi bijtë e Hasan Tahsinit. Jemi në një aleancë të madhe siç është e ASHE, sepse nuk shohim sa të majtë apo të djathtë. Ne jemi vendosur në Aleancën ku potencohet dinjiteti, patriotizmi dhe zgjidhja e çështjes çame. Ne nuk jemi parti ideologjike, sepse ne kemi vetëm një ideologji, kombin, atdheun Çamërinë. Partia jonë gjithëpërfshirëse, ku ndihen si zotë shtëpie, çamët, toskët, gegët. PDIU nuk ka bërë aleancë me spiunët, me komunistët apo persekutorët e Enver Hoxhës dhe sa të jem unë nuk do bëjmë kurrë sepse nuk mund ti dal kurrë përpara gjyshes sime, prindërve të mi dhe gjithë të vdekurve. Ne kemi bërë marrëveshje me çdo shqiptar sepse ne nuk negociojmë vetëm këto gjëra: Zotin, atdheun, pronën, Çamërinë”, tha Idrizi.
Në çeljen e fushatës mori pjesë edhe kandidati i ASHE-së për Tiranën, z. Erjon Veliaj, i cili vlerësoi se fryma patriotike është një domosdoshmëri për kombin dhe vendin tonë. Ai premtoi se akti i parë i Bashkisë së Tiranës do të jetë emërtimi i një sheshi qendror me emrin “Sheshi Çamëria”.
Sigal