PDIU prezanton programin/ Idrizi: Tirana ka nevojë për ndryshime, duke ruajtur identitetin

465
Kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet z.Shpëtim Idrizi, i shoqëruar nga kryesuesit e listës për Këshillin Bashkiak të Tiranës, znj.Vjollca Braho dhe z. Arjan Çukaj, nisin fushatën zgjedhore në kryeqytet. Ndalesa e parë ishte në zonën e Ali Demit, ku u prezantua oferta programore e PDIU-së për pushtetin vendor, nga disa studiues të rinjë, të cilët janë hartuesit e këtij programi. Në fjalën e tij Idrizi ka vënë theksin tek ndryshimet që duhet të pësoj Tirana, duke nisur që nga infastruktura, shkollat e reja dhe krijimi i hapësirave të gjelbërta për qytetarët. Ai u shpreh se pavarësisht ndërhyrjeve të shumta që nevojiten, Tirana duhet të ruaj identitetin e saj.
“Tirana ka nevojë jo vetëm të zgjerohet, ka nevojë që jo vetëm të ketë një sinergji nga periferia në qytet, por ka nevojë që ta ruaj edhe identitetin e saj. Ta ruaj edhe Pazarin e Ri edhe Medresenë edhe sheshet e vjetra edhe lagjen e Tabakëve me Urën e saj, pra te ruaj identitetin e saj prej tiransi, akoma më shumë që qytetarët e Tiranës kanë qenë qytetarët më mikpritës, më zemër dhe dyer hapur për të gjithë shqiptarët, ngado që ata kanë ardhur”, u shpreh Idrizi.
Më tej kreu i PDIU-së, u ndal edhe tek Reforma Territoriale, për të cilën u shpreh krenar që PDIU e ka mbështetur, pasi Shqipëria nuk është më e copëtuar në qindra njësi, por ka 61 bashki, të cilat do të jenë më efikase në punë e tyre. Kryetari i PDIU-së përmendi themelin e programit të Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, si një parti politike patriotike.
“Ne vijmë nga një vokacion kombëtarist, nga një vokacion patriotik, sepse ne mendojmë që në radhë të parë ne duhet të duam njëri-tjetrin, duhet të jemi krenar për identitetin tonë kombëtar, duhet të jemi krenar si shqiptar. Prandaj Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet e ka sloganin e saj “Unë e dua Shqipërinë”. Nuk është thjeshtë një frazë e zakonshme, por PDIU e ka shumë të rëndësishme sinergjinë, dashurinë, bashkëjetesën që ne duhet të kemi midis njëri-tjetrit”, deklaroi zoti Idrizi. Në fund të fjalës së tij, kryetari i PDIU-së bëri thirrje që të votohet numri 34 dhe shprehu bindjen se më 21 qershor, Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet do të katërfishoj votat e saj në të gjithë Shqipërinë.
Sigal