PDIU-ja, kundër Berishës dhe Lulzim Bashës

511
Sigal

 Konferenca e Kryetarëve lë jashtë kalendarit Rezolutën Çame, duke zvogëluar mundësinë të shqyrtohet nga ky Kuvend

  1. Konferenca e Kryetarëve lë jashtë kalendarit të Kuvendit Rezolutën Çame

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve të grupeve parlamentare zhvilluar dje, nuk futi në kalendarin e punës Rezolutën Çame. Kjo do të thotë që komisionet parlamentare nuk do të diskutojnë në këtë kalendar kohor, Rezolutën Çame, e cila ka disa javë që është depozituar në Kuvend nga PDIU-ja. Por, edhe më tej. Ka shumë mundësi që ky Kuvend të mos e diskutojë fare Rezolutën Çame dhe ta lërë në zyrtarët e sekretarisë të Kuvendit. Kështu, siç po duket dhe siç po zhvillohen ngjarjet, Rezoluta Çame ishte thjesht një fishekzjarr, i shkrepur nga kryetari i PDIU-së, në çastet emocionalë të euforisë politike, deklaroi se do të bënte gjithçka që ky Kuvend ta shqyrtonte dhe ta miratonte këtë Rezolutë.

2. Rezoluta Çame, nga Shpëtim Idrizi, një fishekzjarr i blofës politike

Kryetari i PDIU-së, është i pari që nuk beson që ky Kuvend do të kishte sadopak mundësi që ta shqyrtonte Rezolutën Çame. Kjo nuk është  hipotezë. Por një realitet që duhet pranuar, së pari nga vetë Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili edhe pse është pjesë e kësaj maxhorance, qëllimi i parë i bashkëpunimit politik, nuk ka qenë që PDIU-ja në bashkëqeverisje të kishte objektiv, të kishte politikë përçuarjen përpara, institucionalizimin e Çështjes Çame, së pari, brenda politikës dhe institucioneve kushtetuese të Shqipërisë. Kjo, në rastin më të pakët, do të ishte, që PDIU-ja e Shpëtim Idrizit, të kishte vënë parakusht të bashkëpunimit me maxhorancën, pikërisht, shqyrtimin dhe miratimin e Rezolutës Çame nga Kuvendi i Shqipërisë. Mirëpo, sot, është mëse e qartë dhe e pakundërshtueshme nga vetë Shpëtim Idrizi, që PDIU-ja në bashkëqeverisje kishte qëllim vetëm ndarjen e bakllavasë së pushtetit, duke u munduar të shkëputë, për llogaritë e interesave të ngushta, poste sa më shumë, sa më të rëndësishme qeveritare, sesa të bëhej përfaqësuese dhe përçuese e Çështjes Çame. Fakti, që disa muaj më parë, Shpëtim Idrizi, erdhi në ujdi me Kryeministrin, që të zgjeronin rrethin e bakllavasë qeveritare, edhe me marrjen e dy posteve të zv/ministrave, duke mos u shqetësuar fare për problemet e Komunitetit Çam, për të cilën Shpëtim Idrizi pretendon se është përfaqësues politik në Kuvendin e Shqipërisë. Shpëtim Idrizi, po të kishte vënë objektiv të parë politik institucionalizimin e Çështjes Çame me një Rezolutë që të shqyrtohej e miratohej nga ky Kuvend, do ta kishte paracaktuar si kushtëzim të bashkëqeverisjes, që në fillim të mandatit. Vetë, kur të kishte marrë garancitë e duhura për një shqyrtim dhe miratim të Rezolutës Çame nga Kryeministri, atëherë, le të pranonte edhe bashkëqeverisjen. Mbase, një Rezolutë Çame e miratuar nga ky Kuvend, do të kishte bërë më të vështirë nga kjo qeveri edhe nënshkrimin e marrëveshjes detare me Greqinë. PDIU-ja në bashkëqeverisje me Berishën, nuk është një parti e fletë-rrufeve, që Shpëtim Idrizi  me fletërrufe-deklarata i bën kritikë Berishës, sa bëhet publike marrëveshja detare me Greqinë, por duke preferuar simbiozën bashkëqeverisëse.  Dhe në vijim të kësaj politike- jo rastësisht- Shpëtim Idrizi -, kujtohet për Rezolutën Çame, duke u stërbetuar, se do të bëjë namin dhe Rezolutën Çame, do ta shqyrtojë dhe miratojë ky Kuvend, ndryshe- në emër të …besës të fjalës të kryetarit të PDIU-së, ai vetë Shpëtim Idrizi, do të vetëdorëhiqet nga posti i Kryetarit! Mirëpo, Konferenca e Kryetarëve të Kuvendit, nuk e përfilli fare Rezolutën Çame, nuk e futi fare në kalendarin e punës, duke i thënë qartazi Shpëtim Idrizit:  Nuk ka Rezolutë Çame nga ky Kuvend!

2. PDIU-ja kundër Berishës dhe  Lulzim Bashës për xhaminë e Tiranës

Shpëtim Idrizi, edhe kur Konferenca e Kryetarëve përjashtoi nga kalendari i punës shqyrtimin e Rezolutës Çame, nuk guxoi që të kundërshtonte, të distancohej, por, sikurse mban gjarpri peshën e gurit, nën të cilën fshihet, u mundua që me triblime politike, të bëjë zhurmë, për të tërhequr (indirekt) vëmendjen e Kryeministrit, se ai, Shpërim Idrizi, mund të gërvisht (sadopak) me kritikën e tij, maxhorancën, për të tjera probleme, meqë për Rezolutën Çame, është i kapur politikisht. (Ne nuk mund të vëmë në dyshim e pikëpyetje, që shtesat e dhuruara në qeveri, me 2 zv/ministra mund të jenë kusht që të mos shqetësojë qeverinë me Çështjen Çame). Kështu Shpëtim Idrizi dhe PDIU-ja, i bën thirrje qeverisë dhe bashkisë së Tiranës që: “Të përshpejtojnë procedurat për dhënien e lejes për ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës. Kryeministri  dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës  kanë bërë disa herë prononcime publike për dhënien e lejes për këtë xhami, një e drejtë legjitime kjo që i është mohuar për 20 vite me radhë komunitetit më të madh fetar në vend.  Ajo që Komuniteti Mysliman Shqiptar kërkon me të drejtë është një leje për një objekt kulti që është zvarritur për një kohë tejet të gjatë. PDIU-ja do të kërkojë me forcë nëpërmjet këshilltarëve të saj në këshillin e Bashkisë së Tiranës që kësaj çështje t’i jepet një zgjidhje sa më e shpejtë. Në qoftë se ka probleme prone, ne si PDIU, jemi gati të propozojmë që Komunitetit Musliman t’i jepet pronë shtetërore si kompensim të qindra pronave që ende nuk i janë kthyer”. Lind pyetja. Me çfarë të drejtë PDIU-ja e Shpëtim Idrizi do t’i japin Komunitetit Musliman tokë shtetërore? Cili është Shpëtim Idrizi që ka të drejtën të shpërndajë tokë shtetërore? Apo edhe shteti dhe pronësia shtetërore, sipas Shpëtim Idrizit, janë pronësi e PDIU-së, sikurse disa zv/ministri e drejtori Doganore dhe mund ta falin, si copë bakllavaje, kujt të duan ata, sikurse kanë punësuar në institucionet e marra nga PDIU-ja, njerëzit e tyre?