PD: Vrasja në Gjirokastër, autori lehtësi nga kreu i policisë

53
Vrasja dy ditë më parë në Gjirokastër, është një ngjarje e rëndë, një ngjarje e paralajmëruar madje e lejuar të ndodhë nga policia atje, nga drejtori i Policisë, pasi autori kishte të gjitha lehtësitë, para dhe pas aktit kriminal. Autori i vrasjes, Endri Lluka, një person me precedent penal, bridhte lirshëm me pistoletë në qytet dhe kërcënonte fshatarët e zonës ku dyshohet se kishte parcelat e tij me kanabis.
Ndaj tij kishte dhe kallëzim për kërcënimet dhe shqetësimet që krijonte, por policia nuk ka marrë asnjë herë masa. Lehtësitë ndaj vrasësit vinin jo vetëm prej të atit polic, por sidomos prej lidhjeve të këtij personi me drejtorin e Policisë së Gjirokastrës. Pas ngjarjes së rëndë ku mbeti një i ri i vrarë dhe vëllai i tij i plagosur, policia nuk ngrit asnjë postbllok.
Sipas njohësve të zonës dhe specialistëve, vendi ku ndodhi ngjarje është i atillë, sa me dy postblloqe autori duhej të ishte kapur brenda orës.
Mirëpo ai është i lirë dhe sot që flasim. Edhe kur drejtuesit e PD në Gjirokastër i kërkuan sqarime drejtorit të Policisë së Qarkut përse nuk janë ngritur postblloqet, ky i fundit nuk u përgjigj si njeri i ligjit, por si levë e bindur e Tahirit, se ai nuk i jepte kujt llogari.
Kjo ngjarje, tregon inkriminimin e pikave kyçe të policisë, lidhjet e tyre me personat me rrezikshmëri të lartë, me trafikantë dhe me vrasës, dhe dëshmon animin e shtetit në krah të banditëve, dhe kundër qytetarëve. Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të hetojë menjëherë për të gjitha lehtësitë që i janë krijuar vrasësit dhe mosveprimet që sollën ngjarjen e rëndë kriminale, dhe mosveprimet që pasuan më tej ngjarjen duke ia bërë të mundur autorit largimin dhe arratinë. Ne i sigurojmë qytetarët se drejtuesit e policisë që bashkëpunojnë me krimin do të mbajnë llogari para ligjit deri në fund.