PD: Votimi për KLP-KLGJ ishte antikushtetues

544
Opozita deklaron se të 10 anëtarët e listës janë të paligjshëm, të skualifikuar nga ONM, të përfshirë në dënime politike dhe me pasuri të pajustifikuar
Opozita e cilësoi si antikushtetues votimin për anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndërsa vlerësoi se pasuria e njerëzve të organeve të reja të drejtësisë është e pajustifikuar. Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, u shpreh se të enjten ishte seanca ku u varros përfundimisht konsensusi kushtetues dhe dispozitat kushtetuese të marrëveshjes së 21 dhe 22 korrikut 2016. “Sigurisht në një proces i cili ishte korruptuar që kur ligji u ndryshua në mënyrë antikueshtetuese dhe u vendosën filtra që KLP dhe KLGJ janë jashtë Parlamentit në thyerje të marrëveshjes politike dhe të Kushtetutës, të germës së Kushtetutës jo vetëm të frymës, nuk kishte si të ndodhte ndryshe që kandidatët që do të dilnin nga ai proces do të ishin të gjithë të kontrolluar nga kryeministri Edi Rama dhe për rrjedhojë objektivi i Edi Ramës ishte që në çdo rast shorti do të prodhonte rezultatin që ai dëshironte. Pra sa herë do të futesh dorë për të kapur një kandidat, po aq herë do të kapej Edi Rama”, nënvizoi Bylykbashi. Sipas tij, ka dy kandidatë të skualifikuar qartazi pa asnjë ekuivok nga ONM-ja, dy kandidatë, të cilët kanë qenë persona të përfshirë drejtpërdrejt në dënimin e qytetarëve shqiptarë për politikë në periudhën e komunizmit në rolin e gjyqtarit apo të prokurorit dhe një kandidat, i cili është përfshirë në 10 vitet e fundit në politikë, në strukturat drejtuese të partive politike. “Kemi katër kandidatë që nuk plotësojnë kriteret ligjore, rastet janë akumulative pasi kandidatët kanë më shumë se një kriter ndalues, nuk plotësojnë kriteret ligjore. Kemi kandidatë, të cilët nuk kanë paguar rregullisht detyrimet tatimore ndaj shteti. Dhe shtatë prej dhjetë kandidatëve të përzgjedhur me këtë short nuk janë të certifikuar për sa i përket pasurisë, pra nuk iu është bërë VETTING-u”, sqaroi deputeti demokrat. “Lista e këtyre kandidatëve është e korruptuar dhe ligjërisht kandidatët nuk plotësojnë kriteret ligjore që janë skualifikuese dhe lista është e korruptuar politikisht për sa i përket të gjithë procesit që ka sjellë tek këta kandidatë të selektuar nga Edi Rama”, tha Bylykbashi.

Në të njëjtën kohë, deputeti demokrat tha, se procedura parlamentare ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin. “Mbi të gjitha nuk nuk ka ndodhur proces votimi në Parlamentin e Shqipërisë. Kushtetuta kërkon që Kuvendi të votojë me 94 vota, dhe nëse nuk arrihet një rezultat pozitiv për listën, që do të thotë lista rrëzohet, në raundin e tretë listat të dala nga shorti quhen të emëruar. Nuk ka ndodhur proces votimi, nuk jemi përpara një rezultati ku rrëzohet lista. Procesi i votimit është nul për një fakt të thjeshtë kushtetues. Kuorumi i nevojshëm i pjesëmarrjes së deputetëve në procesin e votimit duhet të jetë së paku sa numri i votave të kërkuara për miratimin e një akti të caktuar”, tha Bylykbashi. Ai shtoi se për rrjedhojë, duke qenë se në sallë në procesin e votimit ishin vetëm 73 deputetë dhe kërkoheshin 94 prezent, pavarësisht preferencës për listën, procesi i votimit është nul. “Nuk ka votim e për rrjedhojë nuk mund të hyjë në funksion dispozita automatike për emërimin e kandidatëve”, u shpreh deputeti i PD-së. Megjithatë, ai nënvizoi se opozita nuk do të ankohet në Gjykatën Kushtetuese, pasi vetëm pesë anëtarë kanë mandat të plotë. “Gjykata Kushtetuese është bllokuar qëllimisht përgjatë dy viteve të fundit nga mazhoranca, vetëm e vetëm që të mos merrej vendim me pesë vota. Dhe rekordi i vendimeve me katër me tre, por mungesa e votës së pestë e ka rrëzuar, është 15 ose 20 vendime të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë disa për Reformën në Drejtësi. Partia Socialiste ka bllokuar të gjitha emërimet në drejtësi, gjatë vitit 2017, vazhdon ta bllokojë gjatë vitit 2018, me justifikimin e vettingut vetëm e vetëm për të bllokuar emërimet në Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Bylykbashi. Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese sot është në kolaps.
Sigal