PD, Vokshi: KiE të monitorojë shfrytëzimin e fëmijëve dhe grave në landfillin e Sharrës

431
Sigal

Gazeta Telegraf/

Partia Demokratike denoncoi në Asamblenë
Parlamentare të Këshillit të Evropës shfrytëzimin e fëmijëve dhe grave për punë
të rënda nga Bashkia e Tiranës dhe ndërhyrjet e Kryetarit të Bashkisë  për të censuruar gazetarët që raportuan për
këtë skandal të rëndë shtetëror.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për
Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Albana Vokshi gjatë takimit të
Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të mbajtur në Paris, kërkoi nga
KiE dërgimin në Tiranë të një misioni monitorimi për të hetuar për shfrytëzimin
e fëmijëve në landfillin e Sharrës, ku humbi jetën në rrethana dramatike një
fëmijë 17 vjeç dhe trupi i tij  i
gjymtuar u fsheh në pirgjet e mbeturinave. Më herët, në të njëjtat rrethana
ishte fshehur edhe vdekja e një gruaje 42 vjeçe.

Deputetja Albana Vokshi shprehu
shqetësim për përkeqësimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri dhe akuzoi
autoritetet e Tiranës për korrupsion dhe kriminalizim të institucioneve.

“Shfrytëzimi i fëmijëve për punë të
rënda dhe dhunimi i të drejtave të tyre vazhdon të mbetet një problem
shqetësues në Shëipëri. Referuar statistikave zyrtare dhe raportit të
organizatës  “ILO” , mbi 20 përqind e fëmijëve
nën 18 vjeç jetojnë në varfëri absolute. Organizatat e fëmijëve raportojnë se
mbi 100 mijë të mitur janë të kequshqyr dhe jetojnë në kushte ekstremisht të
vështira ndersa 50 mijë punojnë në rrugë. Shqetësues është fakti që një numur i
konsiderueshëm të miturish punon në kultivim dhe pastrim bimësh narkotike. Në
raport progresin për Shqipërinë 2015, BE shprehu shqetësimin për rrezikun e
trafikimit të fëmijëve dhe shfrytëzimit të tyre për punë, në mesin e tyre edhe
të miturit e komuniteteve rom dhe egjiptianë. Autoritetet shqiptare fshehin
statistikat e fëmijëve të trafikuar dhe të atyre që punësohen në të zezë.”-
deklaroi deputetja Vokshi.

Zonja Vokshi denoncoi edhe praktikat
korruptive të qeverisë me shërbimet jetike dhe kaosin  e vendim-marrjes me programet e mbrojtjes
sociale për familjet dhe njërëzit në nevojë.

“Banka Botërore raportoi se 47 përqind e
popullsisë në Shqipëri jeton me vetëm 500 lekë në ditë. Papunësia është rritur
ndjeshëm. 34 përqind janë të rinj dhe të reja dhe në rajone te caktuar
papunësia ndër gra e vajza shkon nga 50-70 për qind. Mbi 200 mijë shqiptarë,
ndër ta 33 përqind fëmijë emigruan në Europë vetëm në këto dy vite. Ndërsa më
shumë se 200 mijë shqiptarë  aplikuan për
llotarinë amerikane, në dëshpërim për jetën”, tha Vokshi.

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana
Vokshi njëkohësisht Kryetare e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet
Sociale dhe Shëndetësinë kërkoi nga institucionet europiane të monitorojnë
situatën në Shqipëri për të ndalur përkeqësimin e të Drejtave të Njeriut.