PD: Veliaj mashtroi për shpërndarjen e banesave sociale

495
Partia Demokratike ka akuzuar sërish për mashtrim, kandidatin e majtë për kryetar bashkie në Tiranë, Erion Veliaj. Përmes një deklarate për mediat, Fabian Topollaj ka akuzuar Veliajn se ka mashtruar dy vjet më parë lidhur me shpërndarjen e banesave sociale për të pastrehët, ndërsa vijon t’i përsërisë sot me ambalazh të ri për Tiranën.
“Sot është koha për t’u përballur me faktet. Njerëzit janë të lodhur nga përsëritja e premtive të pambajtura të Erion Veliajt të dy viteve më parë, dhe që përsëriten tani me ambalazh të ri për Tiranën. Në 2013-ën Erioni premtoi: “Pas një vlerësimi të kujdesshëm ligjor, do të shpërndahen me transparence apartamentet e ndërtuara si banesa sociale.” Ky premtim doli veç fjale boshe dhe mashtrim.
Pse nuk janë shpërndarë banesat sociale për hallexhinjtë e pastrehë? Erion Veliaj ishte Ministri përgjegjës për t’u siguruar që të mbahej ky PREMTIM, si edhe dhjetëra premtime të tjera që po ia përmendim çdo ditë qysh prej 3 javësh dhe ia publikojmë në website. Erioni premtoi, por i pati vetëm fjalë dhe i mashtroi të pastrehët.
Sot të pastrehët si 71 vjeçarja Sadete Osmani, ndihen të MASHTRUAR nga papagalli i Edi Ramës që vetëm flet, por nuk realizon asnjë punë. Ata po presin prej shumë muajsh përfundimin e një procesi që merr veç 1 orë punë!!! Papagalli i Ramës ka veç fjalë dhe nuk punon asnjë orë të vetme për të zgjidhur hallin e të pastrehëve. Të pastrehët e dine që shefi i Erionit urdhëroi bllokimin e procesit të shpërndarjes së banesave sociale, duke bërë që premtimi i papagallit të Ramës të mbetej veç fjalë dhe mashtrim.
Erioni prapë premton sot veç për të marrë pushtet dhe nuk e ka problem t’i mashtrojë sërish qytetarët sapo ta ketë pushtetin. Ka 3 javë që çdo ditë po i kujtojmë Erionit nga një tjetër PREMTIM të thyer dhe nga një tjetër mashtrim. Votuesit nuk janë lodra që të mashtrohen përsëri”, deklaroi Topollaj.
Sigal