PD: Veliaj hakmerret ndaj policit që denoncoi falsifikimin e gjobës

488
Sigal

Anëtarja demokrate e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Reila Bozdo ka akuzuar kryetarin Erion Veliaj për hakmarrje ndaj vartësve të tij që nuk i binden.

“Erion Veliaj, falsifikatori i gjobës që i vuri protestës popullore të 8 dhjetorit, është hakmarrë ndaj policit bashkiak Besmir Karaj, duke e larguar nga puna. Karaj pati integritetin dhe kurajon që ta denonconte publikisht se firma e gjobës nuk ishte e tija, se ishte falsifikuar. Për këtë ai bëri dhe një kallëzim penal në prokurori më 10 dhjetor”, ka deklaruar Bozdo.

Ajo ka theksuar se, falsifikimi i dokumentave është një vepër e rëndë penale, mirëpo nga 10 dhjetori i vitit të kaluar e deri më sot, prokurori i çështjes nuk ka ndërmarrë asnjë hap për këtë çështje.

“Prej 5 muajsh, prokurori Ardian Dyrmishi mban të mbyllur në sirtar këtë kallëzim. Ai ka provat dhe faktet e mjaftueshme dhe nuk ndërmerr asnjë veprim ligjor, ndonëse mediat raportuan se edhe laboratori shkencor i policisë konfirmoi falsifikimin e firmës nga Bashkia. Partia Demokratike i kërkon sot këtij prokurori të tregojë se çfarë ka bërë me këtë çështje, pse ai nuk kryen detyrën që i ngarkon ligji”, ka vijuar këshilltarja demokrate.

Sipas saj, kjo është një tjetër shenjë e shtetit të korruptuar e kriminal të kryeministrit Edi Rama dhe njerëzve të tij.

“Denoncuesi i krimit, i falsifikimit, polici Karaj, që prej tre vitesh në detyrë nuk kishte asnjë vërejtje apo shkelje, hidhet në rrugë. Ndërsa autori i krimit, falsifikatori Erion Veliaj nuk preket, madje vazhdon të trashë zullumin çdo ditë. Kjo është oligarkia kriminale e Edi Ramës ku ndëshkohet denoncuesi dhe mbrohet shkelësi i ligjit, falsifikatori, gënjeshtari Veliaj”, ka shtuar Bozdo.