PD: Trafikanti i makinave drejton OSHEE-në e Kurbinit

95
Kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë, Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë për mediat denoncoi emërimin në krye të OSHEE-së së Kurbinit të një personi që opozita thotë se ka qenë kreu i një grupi kriminal, që vidhte dhe trafikonte makina. “Lajme të reja vijnë nga inkriminimi Ramist i zyrave publike. Lekë Tuna është kreu i një grupi kriminal që vidhte dhe trafikonte makina, e pikërisht me Edi Ramën u shpërblye duke u bërë drejtori i OSHEE për Kurbinin. Pas një hetimi të gjatë të Prokurorisë së Shkodrës, ky person u arrestua natën e 5 prillit, nën akuzën e trafikimit të mjeteve motorrike.
Por lajmi po mbahet i fshehtë, dhe megjithëse nën arrest për këtë vepër të rëndë penale, Tuna vazhdon të jetë zyrtarisht kreu i OSHEE për Kurbinin.
Inkriminimi i institucioneve nuk ndalet dhe pasurimi i zyrave me trafikantë vazhdon me të njëjtat ritme. Ndërsa Edi Rama krekoset me represionin ndaj të pamundurve, banda e tij në OSHEE vazhdon të dhunojë qytetarët, vazhdon të shtojë rradhët me kriminelë me damkë. Në gjithë Kurbinin, mes qindra të rinjve e të rejave, burrave e grave me integritet e të arsimuar, Edi Rama i vuri gishtin pikërisht këtij vjedhësi dhe trafikanti makinash, kreut të një grupi të strukturuar kriminal, me lidhje dhe me mafian rajonale, për ti besuar drejtimin e OSHEE. Prandaj dhe pikërisht për këta trafikantë me të cilët ndan pushtetin, me të cilët sundon qytetet dhe i ka sjellë deri në parlament, Edi Rama nuk e donte dekriminalizimin dhe bëri çdo përpjekje për ta ndalur atë.
Prandaj dekriminalizimi është jetik dhe duhet të zbatohet një orë e më parë që zyrat publike dhe politika të pastrohen nga banditët e Edi Ramës”.