PD: T’i hiqet mandati Fidel Yllit. PS: “Republika e Mark Markut”

544
Sigal

Deputetët i kërkojnë Kuvendit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për heqjen e mandateve disa kolegëve

Në kuadrin e fushatës të  akuzave të ndërsjella për korrupsion, kësaj here kallëzimet u zbritën në nivelin e korrupsionit të deputetëve, për përfitime personale, nga pasuria shtetërore. Kështu,  një grup deputetësh të PD-së, kërkuan të premten heqjen e mandatit të deputetit të PS-së, Fidel Ylli. Deputetët e PD-së i kërkuan Kuvendit që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese këtë çështje, që ata e konsiderojnë si shkelje flagrante të nenit 70 të Kushtetutës nga ana e deputetit Ylli. Në kërkesën e tyre thuhet se, deputeti socialist ka rezultuar të jetë ortaku i vetëm i një radioje, në dhjetor të vitit 2009, ndërkohë që, ai ishte shpallur deputet, me vendim të KQZ-së, që në gusht të këtij viti. Siç dihet, dhe siç përcakton ligji, frekuencat e radiove dhe televizioneve janë pasuri publike. “Kushtetuta thotë se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Pas katër muajve, në shkelje të hapur me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, zoti Ylli rezulton të ketë bërë një shitje fiktive të radios, duke e kaluar atë në pronësi të së motrës, në fund të dhjetorit 2009”,- thuhet në kërkesën e deputetëve demokratë. Sipas deputetëve të PD-së, rasti i deputetit Fidel Ylli është i ngjashëm me atë të ish-kolegut të tij, Ilir Beqja.  “Zoti Beqja e humbi mandatin e deputetit, rreth dy vjet më parë, pasi Kuvendi çoi në Gjykatën Kushtetuese fakte, që provonin se ai kishte përfituar fonde nga pushteti vendor, gjatë ushtrimit të mandatit të deputetit. Gjykata Kushtetuese e çmoi të drejtë kërkesën e Kuvendit, i cili u vu në lëvizje sërish nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike”, thuhet më tej në kërkesën e deputetëve të PD-së. I menjëhershëm dhe analog ka qenë, po dje edhe reagimi i një grupi deputetësh të PS-së, prej 30 firmash, të cilët duke cilësuar “Republikë të Mark Markut” i drejtohen Gjykatës Kushtetuese (dhe jo Kuvendit) për heqjen e mandatit deputetit të PD-së, Mark Markut. Ne letrën e firmosur nga 30 deputetë të PS-së, ku, me lëndë: “Konstatimi i papajtueshmërisë së funksionit me pasojë mbarimin e mandatit për deputetin Mark Marku”,   thuhet se: “Bazuar në pikat 3 dhe 4 të nenit 70, germa c, pika 2 e nenit 71, germa e, neni 131 si dhe germa c, neni 134 të Kushtetutës : Ne deputetët e poshtëshënuar socialistë kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese e Republikës, si garante e vetme e respektimit të Kushtetutës, pranimin e objekt-kërkesës për gjykim dhe dhënien e vendimit për: Konstatimin e pavlefshmërisë në funksionin e deputetit për shtetasin Mark Marku, Për shkakun dhe arsyetimin si më poshtë :Shtetasi Mark Pjetër MARKU, i datëlindjes 25.06.1966, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë, është zgjedhur në 2009, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i PD-së, Legjislatura XVIII , Qarku: Lezhë. në vitin 2010 deputeti Mark Marku ka blerë një automjet tip “VV”, me targë TR 6880 E dhe me çmim tejet preferencial 218.300 lekë, pronë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Si deputet i Kuvendit shtetasi Mark Pjetër Marku, duke shkelur Kushtetutën (pika 3, neni 70) ka përfituar në mënyrë flagrante pasuri personale që buron direkt nga pasuria e shtetit. Gjithçka që kërkojmë e provojmë me shkresa, procesverbale, regjistra, njoftime dhe listë-pagesa, të cilat ia ofrojmë Gjykatës Tuaj.”