PD: Të hapur për bashkëpunim me LSI-në

508
Krijimi i një fronti të bashkuar opozitar duket se është pranë pas sinjaleve që Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë dhënë nga selitë e dy forcave politike. Nënkryetari i Partisë Demokratike dhe Kuvendit, Edi Paloka, deklaroi se e mirëpret bashkëpunimin me LSI-në, ndërsa ftoi edhe forca të tjera politike që t’i bashkohen lëvizjes, që siç thotë ai ka në shënjestër qeverisjen të bërë njësh me krimin. “Ne jemi të hapur të bashkëpunojmë, jo vetëm me LSI-në, por me çdo qytetar i cili është i gatshëm të bëhet pjesë e një fronti të gjerë kundër një qeverisjeje, e cila mund të jetë më e keqja që ka pasur ndonjëherë Shqipëria”, tha Paloka. Drejtuesi demokrat tha se reforma zgjedhore dhe ajo territoriale janë dy nga betejat kryesore të demokratëve. Edhe pse Paloka thotë se ato do të jenë procese të ndara, pasja e një harte të re të ndarjes territorial-administrative shihet si domosdoshmëri për opozitën. “Sot është domosdoshmëri, jo thjeshtë për faktin se kemi të bëjmë me një hartë krejtësisht elektorale, por edhe për faktin se qytetarët nuk po arrijnë të marrin asnjë nga shërbimet që kanë marrë dikur nga pushteti lokal”, tha Paloka. Prej disa ditësh demokratët kanë nisur edhe analizën për humbjen e thellë në zgjedhjet e 25 qershorit. Paralelisht me kryerjen e këtij procesi, Lëvizja për Ringritjen e Partisë Demokratike, ka kërkuar përmes një platforme që pjesë e zgjedhjeve në të gjitha nivelet të jetë edhe kryetari i Partisë Demokratike. I pyetur për këtë çështje Paloka thotë se periudha 8-javore e analizës do të shërbejë për të parë edhe defektet brenda strukturave të partisë. “Kjo mund të na shërbejë edhe për të gjetur defektet, apo ato probleme që mund të ketë pasur vetë brenda Partisë Demokratike, apo strukturës në mënyrë që në një proces të ardhshëm gjithçka të përmirësohet apo rregullohet”, u shpreh ai.
Sigal