PD: “Shqipëria humb 11 vende prej inefikasitetit, paaftësisë dhe korrupsionit të qeverisë”

400
Besart Kadia për raportin e fundit të Heritage Foundation, ku vendi ka humbur 11 pikë, dhe shkaku kryesor mbetet koprrupsioni
Opozita prej ditësh disponon raportin e fundit të “Heritage Foundation” që fatkeqësisht e vendos Shqipërinë 11 vende më poshtë sesa viti 2013. Ashtu sic biznesi e di edhe raportet ndërkombëtare shprehen të shqetësuara për regresin që po ndodh me politikat ekonomike në Shqipëri ku shqetësues mbetet borxhi i lartë publik, presioni i lartë fiskal dhe shpenzimet publike jo efikase.

Duam t’ju kujtojmë se në 15 janar të vitit 2014 Ministri i Ekonomisë Ahmetaj krenohej se “Heritage Foundation” i kishte dhënë qeverisë së Rilindjes “të parin vlerësim cilësor në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe lirisë së të bërit biznes në Shqipëri”. Sipas tij në raport “përmendej pozitivisht ambicia e vendit dhe e Qeverisë Rama”. Duke qënë se ky raport i fondacionit prestigjoz ”Heritage” më qendër në Uashington është një tregues që qeveria Rama e ka vlerësuar si të rëndësishëm në atë kohë dhe është një mënyrë e pavarur për të matur performancën e reformave ekonomike në vend, është shqetësuese që pas katër vitesh në pushtet për shkak të politikave ekonomike të gabuara ne kemi humbur 11 vende.

Ministri Ahmetaj dhe Kryeministri Rama thonë se reformat e tyre po japin frytet pozitive. Por në realitet ne kemi ecur prapa me 11 vende!!! Reformat ekonomike të paqarta, të pamenduara e të njëanshme ndaj biznesit kanë përkeqësuar lirinë ekonomike në vend. Në muajt e fundit të qeverisjes së Rilindjes Fondacioni Heritage me qendër në Uashington thotë se Kryeministria po i le bizneseve një klimë të përkeqësuar duke e renditur vendin e 65-të nga 54 që ishte në vitin 2014.

Heritage Foundation shprehet se “sistemi gjyqësor mbetet jo efikas dhe vulnerabël ndaj ndërhyrjes së politikës”. Por ajo që theksohet si një përkeqësim i klimës së biznesit është KORRUPSIONI.

Ndërkohë që Rilindja pretendonte se e gjeti arkën e shtetit bosh, Heritage Foundation shprehet e shqetësuar se “zgjerimi i shpenzimeve qeveritare ka cuar në deficit buxhetore dhe në zgjerim të borxhit publik në vitet e fundit”.

E vetmja gjë që mund të bëjë një qeveri është t’i ofrojë biznesit një administratë efikase dhe profesionale. Por për Heritage Foundation, institucionit më me peshë në politikat e administratës së Republikanëve në SHBA, Shqipëpria ka përfunduar me një administratë që është barrë për të bërë biznes pasi sipas saj “administrata është e rrënuar nga inefikasiteti, paaftësia dhe nga korrupsioni”.

Ne mendojmë, ashtu si dhe Heritage Foundation, se liria ekonomike është e drejta themelore e çdo njeriu për të qenë zot i punës dhe pasurisë së tij.

Në një shoqëri me liri ekonomike, individët janë të lirë të punojnë, prodhojnë, konsumojnë dhe investojnë në çdo mënyrë që e shohin të përshtatshme. Liritë ekonomike janë të siguruara vetëm kur pushteti është i kufizuar. Të kesh politika ekonomike probiznes do të thotë të jesh në gjendje të kuptosh sesi krijohet pasuria, e cila nuk vjen nga urdhërat e politikanëve, por nga njerëz të lirë që punojnë sëbashku, që krijojnë, kursejnë, investojnë, blejnë e shesin, dhe të gjitha këto nën respektin për pronën dhe të drejtat e të tjerëve. Politika pro-biznes do të thotë presion fiskal i kufizuar. Do të thotë më pak qeveri më shumë liri.

Ndaj në ditën e parë të qeverisjes Partia Demokratike do të vendosë tatim fitimin për bizneset në 9% për të lehtësuar biznesin shqiptar nga taksa e komplikuar progresive e për të nxitur punësimin e rritjen ekonomike. Sepse ne e dimë se sipërmarrja e lirë është thelbi i një shoqërie që mund të ecë përpara. Kjo është politika e parë dhe më e rëndësishme për të bërë aleat biznesin. Cdo konferencë, cdo tryezë, e qeverisë me biznesin është thjeshtë Propagandë, propagandë dhe vetëm propagandë. Këto janë PPP-të e vetme që ka njohur biznesi shqiptar këto vite qeverisje.
Sigal