PD, shpërblim për Dogjanin, Kadelin dhe Islamin

456
Sigal

Premtimi i PD-së: Tre ish- deputetët e majtë, marrëveshje me Berishën për përfaqësimin në Kuvend, ose në qeverinë e ardhshme 

 Pasi ka blinduar votëbesimin e qeverisjes së djathtë, me votat e tre ish-deputetëve të majtë, PD-ja, ka menduar të mbajë premtimin ndaj këtyre deputetëve, nëpërmjet kandidimit në listat e kandidatëve të vet, ose nëpërmjet shpërblimit në fazën e dytë të formacionit për kabinetin qeveritar.  Në këtë mënyrë deputetët e pavarur, Kastriot Islami, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli, do të kandidohen në listat e Partisë Demokratike, duke u kthyer pas janarit në deputetë të majtë, ose ata do të konsiderohen si favoritë kryesorë në postet ministrore. Detajimi i këtij premtimi mban brenda edhe hollësi akoma më të mëdha siç janë portofolët ministrorë që do të mbajnë. Kështu, Kastriot Islami do të diskutohet për postin e ministrit të Kulturës, ku aktualisht është vendosur Visar Zhiti, ndërsa Asllan Dogjani po konsiderohet si kandidaturë për titullarin e Ministrisë së Brendshme. Ndërsa, Gjiovalin Kadeli do të jetë një konkurrent i fortë për postin e ministrit të Mbrojtjes. Të tre projektimet për ta janë bërë në bazë të përgatitjes arsimore që ata kanë. Kështu, Islami për shkak të preferencave shkencore dhe ekonomiko-sociale, do të marr karrigen e Ministrisë së Kulturës, ndërsa Dogjani, i cili ka kryer me sukses shkollën e Policisë do të si kandidaturë për Ministrinë e Brendshme. Nga ana e vet, Gjovalin Kadeli është shquar në degët e artit ushtarak dhe pasi ka kryer studimet në këtë degë, ai mund të caktohet fare mirë në këtë post.

Premtimet

Në bazë të bisedave paraprake, duke parë rëndësinë e votëbesimit të qeverisjes blu, steka e tre deputetëve  ka qenë e ngritur shumë lart. Në fillim u diskutua si punë e mbaruar vendosja e emrave të tyre në listën e kandidatëve blu, pikërisht në vendet e sigurisë nëpër lista. Por pastaj, duke parashikuar vështirësi gjatë prezantimit të tyre në elektoratin e djathtë, PD-ja ka alternuar shpërblimin e votës së tyre, me anë të një posti qeveritar. Në ligjëratë të drejtë atyre u është thënë: Ose në listat për deputetë, ose në listat e posteve ministrore”. Nga ana e vet,preferenca e tre deputetëve ka qenë që atyre tu jepet garancia për formacionin parlamentar, por në rast vështirësie, apo pamundësie, një post ministror për ta mbetet krejtësisht në dorë të Berishës. Kështu që në një farë mënyre të tre emrat e mësipërm do të vazhdojnë të jenë faktorë të politikbërjes edhe në sesionin e ardhshëm 4-vjeçar, ku me anë të votës, apo me anë të kolltukut ministror, ata do të jenë prezentë gjatë zhvillimeve të ardhshme.

Tre deputetët, votuan pro ministrave të Berishës

Tre ish deputetët e PS-së, kanë votuar të enjten shkarkimet e ministrave të LSI-së dhe kandidaturat e PD për tre postet ministrore. Kryeministri Sali Berisha konfirmoi të enjten shumicën në Parlament, duke emëruar me 72 vota pro ministrat e ri të kabinetit qeveritar, pas largimit të LSI-së nga koalicioni. PD, veç 69 votave që ka në Kuvend, së bashku me PDIU-në dhe PR-në ka siguruar të enjten edhe votat e tre deputetëve të larguar nga PS, Kastriot Islami, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli, të cilët votuan pro për të gjithë ministrat e rinj. Parlamenti miratoi me 72 vota pro, 59 vota kundër dhe 3 abstenim dekretin e Myqerem Tafajt si zv.kryeministrin e ri. Ndërsa tre deputetët e LSI-së, Vangjel Tavo, Lefter Koka dhe Nasip Naço, abstenuan. Gjatë votimit ra në sy mungesa e kreut të LSI-së, Ilir Meta dhe deputetëve të PS, Tom Doshi, Olta Xhaçka, Ndue Kola. Po ashtu, mungoi i pavaruri Dritan Prifti dhe deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa. Halim Kosova u emërua dje me 72 vota pro, 58 kundër dhe tri abstenimet e LSI-së si ministër i ri i Shëndetësisë. Për gjinekologun Halim Kosova, nga radhët e PS-së nuk votoi deputeti Blendi Klosi, i cili ka hequr kartën e votimit, duke anuluar prezencën. Ndërsa ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, mori 72 vota pro, 59 kundër dhe 3 vota abstenim të LSI-së. Edhe për Bumçin numri 72 i votave është arritur falë votimit pro të 3 deputetëve të larguar nga PS, Dogjani, Islami dhe Kadeli. Ministri i Ekonomisë, Florion Mima, mori mbështetjen e deputetëve të PD-së, të cilët votuan me 72 vota pro, 59 kundër dhe 3 abstenime. Ndërsa shkrimtari Visar Zhiti u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me 72 vota pro, 57 kundër dhe 4 abstenime. Për Zhitin ra në sy fakti se veç 3 deputetëve të LSI-së, në tabelën elektronike votoi abstenim dhe socialisti Ndrec Deda, ndërsa deputeti Arben Malaj nuk ka marrë pjesë në votim. Në këtë mënyrë ata që votuan pro votëbesimit të qeverisjes, do të marrin frytet e votave të tyre, nga ana e Partisë Demokratike.

 Sot zëvendësministrat

Partia Demokratike i ka marrë të gjitha masat që të zëvendësojë në një kohë rekord të gjithë përfaqësuesit e LSI-së në qeverisjen qendrore. Sot është parashikuar zëvendësimi i zëvendësministrave, duke filluar nga zv.ministri i Jashtëm, i cili është kontingjent i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, së bashku me zëvendësministrin e Ekonomisë, të Transportit, të Bujqësisë, Punës, të Integrimit, e kështu me radhë, duke kryer rokadën e plotë zëvendësministrore. Ky zëvendësim do të shoqërohet me veprime të tjera të avancuara për largimin nga puna të përfaqësuesve të tjerë të LSI-së, të cilët tani e tutje do të shpresojnë në një fitore të koalicionit të majtë për t’u rikthyer në administratën shtetërore.

  Eduard Selami, zv.ministër i Jashtëm

 Eduard Selami do të caktohet sot zëvendësministër i Ministrisë së Jashtme. Ky hap i hedhur nga Berisha duket se do t’i paraprijë ngjitjes së shkallëve hierarkike nga ana e ish -kryetarit të kësaj partie, i cili për rreth 20 vjet ka jetuar në emigracion. Por tani pas kthimit në familjen e PD-së, Berisha ka vendosur ta aktivizojë në sektorin e Ministrisë së Jashtme, për të përdorur më vonë, në rast fitoreje në postin e titullarit të kësaj ministrie.