PD: Shefi i kufirit të Dhërmiut, në shërbim të Habilajve të Tahirit

501
Partia Demokratike ka bërë publike foto të kreut të Policisë Kufitare të Dhërmiut me një anëtar të familjes Habilaj, për të cilët opozita akuzon ministrin e Brendshëm se nën mbrojtjen e tij dhe në bashkëpunim me të, janë duke kryer biznesin e drogës nga Vlora drejt Italisë.
Fotot me drejtorin e policisë, sipas partisë më të madhe në opozitë, janë dëshmi të qarta se si Policia e Shtetit është vendosur në shërbim të veprimtarisë së narkotrafikut të kushërinjve të Saimir Tahirit, për të cilin kërkuan sërish dorëheqjen. 
Kushërinjtë e Saimir Tahirit, Habilajt, të cilët hetoheshin për trafik droge, dhe që policia i njeh mirë për aktivitetin e tyre në Vlorë e më gjerë, po vazhdojnë të forcojnë lidhjet me pikat kyçe të kalimit të narkotikëve. Kemi këtu Moisi Habilajn, kushëriri i preferuar i Tahirit, në një lidhje të ngushtë bashkëpunimi me kreun e Policisë Kufitare në Dhërmi. Pikërisht në Dhërmi, aty ku sipas dëshmisë së oficerit të lartë të antidrogës Zagani, banda e drogës magazinon mallin dhe e bën gati për ta nisur në Itali. Siç dëshmojnë këto foto, kreu i policisë kufitare në Dhërmi, Sokol Bode, nuk ka prioritet hetimin e trafikut të drogës sepse në fakt është vënë në shërbim të tyre”, tha në një deklaratë për shtyp deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj.
Sigal