PD riaktivizon kërkesën për referendum për plehrat

478
Partia Demokratike ka rivënë në lëvizje kërkesën për një referendum lidhur me ndalimin e importit të mbetjeve në Shqipëri. Pas refuzimit të Konferencës së Kryetarëve për të njohur kërkesën e vitit të shkuar, për shkak se disa deputetë firmëtarë nuk janë më pjesë e Kuvendit, opozita ka vendosur ta riaktivizojë këtë kërkesë. Tashmë janë 36 deputetë firmëtarë të kërkesës për referendum që duhet të shqyrtohet nga Kuvendi. Kjo kërkesë është mbështetur edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Parlamenti pranoi të enjten dekretin e Presidentit të Republikës për rrëzimin e ligjit të mbetjeve, duke i dhënë fund importit të tyre. Megjithatë demokratët janë shprehur mosbesues ndaj qeverisë dhe kanë vendosur ta ndalojnë importin me anë të një referendumi. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vlerësoi edhe një vit më parë se lejimi i importit të llojeve të caktuara të mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, cenon interesin publik, për shkak se rrezikon jetën dhe shëndetin e brezave të sotëm dhe të ardhshëm, krijon premisë të qartë të shfrytëzimit të këtij aktiviteti nga grupet kriminale ndërkombëtare të importimit të mbetjeve të rrezikshme, bie ndesh me prioritetet ekonomike kombëtare, si dhe me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë. Ky fakt nënkupton, se lejimi ose jo i importimit të llojeve të caktuara të mbetjeve, është çështje me interes publik dhe, për pasojë, ajo konsiderohet një çështje me rëndësi të veçantë, në kuptim të nenit 150/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Importi i mbetjeve ka qenë temë e debatit publik edhe më parë. Opinioni publik është shprehur në mënyrë masive kundra importit të mbetjeve. Këtë e tregon mbledhja e rreth 64 mijë firmave kundër lejimit të importit të mbetjeve, në kuadër të kërkesës për zhvillimin e një referendumi mbi këtë çështje. Kjo kërkesë, e nënshkruar nga më shumë se 64 mijë qytetarë, është konsideruar e ligjshme, dhe për pasojë me Dekretin nr. 8093, date 08.04.2013 “Për caktimin e datës për referendum të përgjithshëm”, u vendos data 22 dhjetor 2013 për zhvillimin e tij. Në kushtet kur ligjvënësi ndaloi me ligj importin e çdo lloji mbetjeje, atëherë referendumi i dekretuar nga Presidenti i Republikës nuk u zhvillua.
Sigal