PD: Rama thërret banditët nën armë

493
Përmes një deklarate për shtyp të mesditës së të dielës, kreu i Departamentit të Rendit e Sigurisë në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka akuzuar kryeministrin Rama se “ka thirrur banditë nën armë”, duke iu referuar ngjarjes kriminale të ndodhur në Ersekë përpara dy netësh.
“Njeriu, të cilit Edi Rama i ka besuar Partinë Socialiste të Ersekës, Orest Malushi, jo vetëm është me precedentë penalë për plagosje të rëndë me armë, por bredh edhe me pistoletë në brez dhe godet e kërcënon demokratët. Ky drejtues socialist i Edi Ramës, në shoqërinë e kreut të PS-së së Leskovikut, Sergei Peshtani, dhe drejtorit të Ujësjellësit, Robert Hamzaj, ka qëlluar me armë drejt anëtarit të Partisë Demokratike, Zylyftar Byreku, në një lokal në Shelegur”, bën të ditur Alibeaj.
Ai u ka bërë presion edhe shefave të policisë, që – sipas tij – kanë fshehur ngjarjen e rëndë duke u kujdesur për drejtuesin e Ramës në Leskovik, duke prishur provat.
“Edhe pse anëtari i Partisë Demokratike ka bërë kallëzim, shefat e policisë janë kujdesur që banditi i Ramës të jetë i lirë dhe i lirë është edhe sot, pas kësaj ngjarjeje të rëndë. Shefat e policisë janë kujdesur për drejtuesin e Edi Ramës, me armë në brez që qëllon mbi qytetarët, që të mungojnë edhe provat kundër tij, duke prishur kamerat e lokalit. Partia Demokratike i siguron këta drejtues të policisë, që do të përgjigjen para ligjit deri më një, për këtë fshehje të ngjarjes dhe bashkëpunim me krimin”, ka vijuar më tej Alibeaj.
Në fund, Alibeaj flet sërish për kryeministrin. “Edi Rama po sfidon çdo ditë qytetarët e vendit dhe të ardhmen europiane, duke refuzuar pastrimin e politikës nga krimi, e duke zgjedhur të ndajë pushtetin me banditë, trafikantë e vrasës”.
Sigal