PD: Rama i jep lagunën e Patokut deputetit Armando Prenga, ja faktet. Ministria: Akuzat politike

503
TIRANE – Partia Demokratike ka denoncuar ditën e sotme dhënien e lagunës së Patokut vëllait të deputetit të Partisë Socialiste Armando Prenga. Në një dalje për mediat Sekretari për Çështjet e Sigurisë në PD Bashkim Shehu tha se me një tender të dyshimtë, në shkelje të të gjithë kritereve teknike, vëllai i deputetit Prenga ka arritur të marrë lagunën e Patokut.
Duke bërë publike materialet, Shehu theksoi se skandali thellohet edhe mnë tepër pasi kjo kompani është ngritur enkas për këtë punë prej 2 muajsh. Sipas PD ky është një rast i pastër i gërshetimit të lidhjeve kriminale me korrupsion e biznes qeveritar i autorizuar nga Kryeministri Edi Rama.
Më poshtë deklarata e plotë e Partisë Demokratike: 
“Ndërsa dekriminalizimi është kthyer në nevojë jetike dhe në urgjencë kombëtare, Edi Rama, autori i inkriminimit masiv të institucioneve e parlamentit, jo vetëm nuk po reflekton, por po bën të kundërtën, po bën edhe biznes me lidhjet e tij kriminale. Dhënia e lagunës së Patokut, një prej pasurive kombëtare, vëllait të deputetit Armando Prenga, është padyshim thellimi i inkriminimit. Me një tender të dyshimtë, në shkelje të të gjithë kritereve teknike, vëllai i deputetit të Edi Ramës, ka arritur të fusë në dorë këtë aset të çmuar edhe pse ka një kompani të ngritur enkas, prej 2 muajsh. Kemi këtu dokumentat që tregojnë se kompania e vëllait të deputetit Prenga ka dalë fituese, ndonëse është krijuar vetëm dy muaj më parë. Kështu, Armando Prenga për të cilin ka informacione për aktivitet kriminal në Itali dhe vende të tjera të Europës, me identitet të ndryshuar për shkak të problemeve me drejtësinë, po i forcon lidhjet me Edi Ramën përmes biznesit korruptiv dhe në kurriz dhe dhjetra peshkatarëve që mbanin familjet e tyre deri më sot me këtë aktivitet në Lagunën e Patokut. Ky është një rast i pastër i gërshetimit të lidhjeve kriminale me korrupsion e biznes qeveritar. Kjo është skema e inkriminimit në veprim dhe këtë po bën Edi Rama, me ndarje favoresh të majme me të inkiriminuarit që ka futur në administratë, në zyra, në partinë e tij e deri në parlament.
Partia Demokratike paralajmëron Edi Ramën dhe ortakët e tij se nuk do ta njohë këtë kontratë korruptive dhe do ta anullojë atë në momentin më të parë kur të marrrim përgjegjësitë për vendin.” tha Shehu 




Reagon Ministria e Buqësisë
Sigal

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave reagon pas akuzave nga opozita për administrimin e Lagunës së Patokut. “Akuzat e opozitës janë tërësisht politike. Procesi i dhënies në administrim i lagunës ka qenë me konkurrim të hapur, i pastër dhe sipas ligjit. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave është e hapur për ti vënë në dispozicion organeve përkatëse dhe kujtdo dosjen në fjalë”.