PD: “Rama, fushatë shpifjesh për të maskuar bllokimin e marrjes së statusit”

406
Sigal

Partia Demokratike reagoi dje, ndaj akuzave të bëra nga Partia Socialiste në adresë të familjarëve të Kryeministrit Sali Berisha, ndërsa theksoi se Kreu i PS-së, Edi Rama shpif për të mbuluar aktin antikombëtar të bllokimit prej tij të 3 ligjeve, që kërkoheshin për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi tha se, “prej 1 jave, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, pasi bllokoi në një akt antishqiptar dhe antikombëtar votimin e 3 ligjeve për marrjen e statusit, ka ndërmarrë një fushatë të ulët shpifjesh dhe trillimesh kundër familjarëve të Kryeministrit”. “Me këtë fushatë mashtrimesh të përditshme z. Rama beson se do të mund të maskojë përpara shqiptarëve shëmtirën e vendimit të tij për të bllokuar votimin e 3 ligjeve në parlament, të kërkuara në unison nga Komisioni Evropian, Këshilli i Ministrave i BE-së, Parlamenti Evropian, por edhe nga miqtë tanë në Ëashington”, thuhet në këtë deklaratë për shtyp. Sipas PD-së, njeriu që sot është politikani i vetëm i akuzuar direkt dhe publikisht për gjobat me miliona euro të vendosura prej tij kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, njeriu që deklaron për vite me radhë pasurinë e tij prej 3 mijë euro dhe fsheh kështu nga frika dhe tmerri pasuritë e tij, akuzon familjarët e Kryeministrit për të ardhurat e tyre, që të gjitha të tatuara me burime të qarta dhe të deklaruara në institucionet e vendit”. “Rama shërbehet në këtë fushatë shpifjesh nga zëdhënës të akuzuar për trafiqe droge dhe larje parash të pista, sharës të paguar që i fshihen si minj drejtësisë. Partia Demokratike garanton zotin Rama se me asnjë shpifje apo trillim, ai nuk do të mund të maskojë dot aktin e tij antishqiptar të bllokimit të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”, vijon deklarata për shtyp e PD-së. Partia Demokratike e siguron gjithashtu kreun e PS-së se, do të hedhë dritë mbi të gjitha shumat marramendëse, për gjobat 20%-she për të cilat është akuzuar haptas nga ndërtues dhe biznesmenë të Tiranës si dhe vjedhjet e tjera, të cilat z. Rama mendon se mund t’i mbulojë, duke shpifur dhe trilluar për të tjerët.