PD: Qeveria në shërbim të bandës kriminale, Edi Rama hesht prej 24 orësh. Reagon Kryeministria

386
Sigal

Kryetari Grupit Parlamentar, Paloka deklaron se faktet e lidhjes së Ministrit të Brendshëm me grupin kriminal, kanë tronditur mbarë opinionin publik. Vetëm Edi Rama hesht prej dy ditësh. Kryeministri nuk mban përgjegjësi, lejon aktivitetin e bandës, i ofron asaj favore, dezinformon, dhe zhduk provat për interesa të saj.

 Faktet tronditëse, të bëra publike, tregojnë qartë se banda e armatosur që terrorizoi Tiranën në përplasje të përgjakshme dy netë më parë, është e lidhur me qeverinë dhe ushtron aktivitetin kriminal me dijeni dhe mbrojtjen e saj.

Oficeri i policisë është në shërbim të bandës.

Anëtari i bandës hyn dhe del nga zyra qendrore e Partisë Socialiste.

Të gjithë strukturat e qeverisë ishin dje në dispozicion të kreut të bandës, që nga shërbimet spitalore e deri tek shoqërimi i tij në banesë.

Ka të dhëna shumë shqetësuese, se policia ka kryer kontrolle në banesat e biznesmenëve, të cilët janë gjobitur nga banda kriminale.

Pra Ministri i Brendshëm e di që miku i tij vë gjoba, dhe ai nuk bën asgjë për të mbrojtur viktimat, por u sulet viktimave, për interesat e bandës.

Pati dje dezinformim të vazhdueshëm dhe mungesë transparence, në favor të bandës.

Këto ngjarje të rënda kanë ndodhur në 24 orët e fundit, që kanë tronditur mbarë opinionin publik, dhe gjithë qytetarët e vendit.

Vetëm Edi Rama hesht.

Asnjë fjalë, asnjë reagim.

Ky aktivitet kriminal ndodh sigurisht në dijeninë e tij të plotë.

Rama ka përfituar nga shërbimet e bandës gjatë fushatës zgjedhore, në blerjen, e në marrjen me forcë të votave.

Tani, ai po i kthen bandës favoret, duke i ofruar shërbimet e tij.

E lejon të vërë gjoba e të terrorizojë biznesmenët e qytetarët.

U jep oficerë policie në dispozicion për t’i dhënë siguri dhe mbrojtje.

Kujdeset për bandën në cdo drejtim që armët të mos gjenden, provat të mos gjenden, që kreu i saj të mos qëndrojë më shumë se disa minuta në zyrat e Drejtorisë së Policisë.

Këto janë të vërtetat e kësaj qeveria.

Kështu sundon oligarkia në pushtet.

Me bandat, nga bandat për bandat.

***

Deklaratë për shtyp

Nisur nga shpifjet përtej çdo caku të Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka, Kryeministri Edi Rama ka ngarkuar Zyrën Juridike të Kryeministrisë që të përgatisë ballafaqimet penale dhe civile të shpifësit në fjalë, qoftë në Prokurorinë e Përgjithshme qoftë në Gjykatën e Lartë.

I kallëzuari dhe i padituri Edi Paloka, duhet të japë prova për çka ka thënë sot dhe qoftë edhe përballë një prove të vetme, Kryeministri Edi Rama është i gatshëm të lërë detyrën. Në të kundërt kryetari i Grupit Parlamentar të PD, një shpifës profesionist i nivelit më të ulët edhe në llogoren e politikës së vjetër të baltës, duhet të përgjigjet përpara ligjit.

Kjo histori e shëmtuar marrjeje zvarrë e opinionit publik nëpër labirinthin e baltës së shpifjeve e fyerjeve, me moton “Shpif e shpif se diçka do mbetet!”, nuk mund të vazhdojë më tutje pa ballafaqimet e nevojshme përballe organeve të drejtësisë.

Zyra e Shtypit e Kryeministrit