PD publikon faktet, ja se si Veliaj po grabit pronat e qytetarëve për tua dhënë klientëve privatë

434
Sigal

Këshilltari Bashkiak i Partisë Demokratike, Mateo Spaho, ka denoncuar sot me fakte nga selia e Partisë Demokratike, grabitjen e pronave publike që Kryetari i Bashkisë Erion Veliajm po i bën pronave publike për llogari të klientëve privatë.

Në deklaratën e tij Spaho tha se ‘Erion Veliaj do të hyjë në historinë e kryeqytetit të Tiranës si kryebashkiaku që e përdori pushtetin e dhënë prej qytetarëve të Tiranës për një qëllim të vetëm: për të grabitur pronën publike, për të shpërdoruar taksat e qytetarëve dhe për të betonizuar Tiranën.”

Sipas Spahos; “Në funksion të këtij qëllimi Erion Veliaj ndërmori dje një akt mafioz, për të cilin hesht dhe nuk ka dhënë akoma asnjë shpjegim publik. Me më pak se 37 votat që i kërkon ligji i pushtetit lokal, Erion Veliaj vendosi të përfshijë në votim 6 prona të tjera publike, për t’ia grabitur qytetarëve dhe t’ua dhënë ato klientëve të tij privatë.”

Deklarata e plotë

Erion Veliaj do të hyjë në historinë e kryeqytetit të Tiranës si kryebashkiaku që e përdori pushtetin e dhënë prej qytetarëve të Tiranës për një qëllim të vetëm: për të grabitur pronën publike, për të shpërdoruar taksat e qytetarëve dhe për të betonizuar Tiranën.

Në funksion të këtij qëllimi Erion Veliaj ndërmori dje një akt mafioz, për të cilin hesht dhe nuk ka dhënë akoma asnjë shpjegim publik. Me më pak se 37 votat që i kërkon ligji i pushtetit lokal, Erion Veliaj vendosi të përfshijë në votim 6 prona të tjera publike, për t’ia grabitur qytetarëve dhe t’ua dhënë ato klientëve të tij privatë.

Deri tani secili nga këto vendime klienteliste mbahet sekret dhe, në mënyrë të paligjshme, nuk I jepen as këshilltarëve socialist, as këshilltarëve të opozitës.

Në funksion të grabitjes dhe propagandës për mbajtjen e pushtetit, Erion Veliaj ka vënë edhe buxhetin e qytetarëve të Tiranës.

Megjithëse, ne, banorët e kryeqytetit jemi qytetarët që paguajnë më shumë taksa se çdo qytetar tjetër i Shqipërisë, investimet në Tiranë për përmirësimin e jetës së përditshme janë minimale.

Vetëm 14 milionë dollarë ka shpenzuar Erion Veliaj për shtrimin e rrugëve, trotuarëve, ndriçimin e lagjeve, për përmirësimin e rrjetit të ujësjellësit dhe për infrastrukturën në tërësi të qytetit, e cila është në një gjendje të mjerueshme.

Po ku shkon pjesa më e madhe e taksave të qytetarëve të Tiranës?

Të dhënat zyrtare të buxhetit të bashkisë tregojnë se 48 milionë dollarë përdoren për rrogat e punonjësve të bashkisë së Tiranës, e cila rezulton të jetë një nga institucionet me administratën më të fryrë. Janë rreth 7 mijë njerëz që punojnë për Erion Veliajn, që do të thotë se, që kur mori pushtetin e ka dyfishuar numrin e rrogatarëve të paguar me taksat e qytetarëve.

Është e qartë se kjo është një armatë elektorale, që mbahet me taksat tona, por nuk punon për përmirësimin e jetës në qytet, sepse ky nuk është prioriteti i Erion Velisë.

Erion Veliaj ka shpenzuar 5 milionë dollarë në vit vetëm për koncerte dhe reklama në funskion të propagandës, ndërsa faktet flasin për mbi 400 leje ndërtimi brenda 1 viti. Kjo do të thotë se erion veliaj ka dhënë më shumë se 1 leje ndërtimi në ditë, duke e shndërruar Tiranën në lavatriçën më të madhe të parave të pista në Ballkan. Vetëm nga lejet e ndërtimit, bashkia ka marrë 54 milionë dollarë, por për qytetin ka shpenzuar vetëm 14 milionë dollarë.

Erion Veliaj është kampion i gjobëvënies së qytetarëve.

Vetëm në 1 vit  ka raportuar në buxhet 4 milionë dollarë gjoba, ndërsa nga pagesat e parkimeve 4.5 milionë të tjera. Me 8.5 milionë dollarë, problemi parkimeve në Tiranë duhet të ishte zgjidhur, por, në fakt, ka ndodhur e kundërta. Parkimi në Tiranë është kthyer në një makth.

Kryebashkiaku, që gjeti gati projektin e Bulevardit të Ri dhe të Pazarit të Ri, nuk ka në bilancin e tij një vepër madhore në shërbim të qytetit. Sheshi Skënderbej është vepra e tij e korrupsionit 22 milionë euro, të cilin po e rrethon nga kryeveprat e tjera të korrupsionit dhe pastrimit te parave, kullat e betonit.

Qytetarët e Tiranës nuk e meritojnë një kryebashkiak si Erion Veliaj!