PD: Pse nuk arrestohet Saimir Tahiri

104
Partia Demokratike deklaroi se “Prokuroria e Krimeve të Rënda ka të faktuar prej të paktën 4 muajsh se lidhja mes Saimir Tahirit dhe bandës së Habilajve mbahej edhe nëpërmjet drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në trafikun ndërkombëtar të drogës”. Deputeti Enkelejd Alibeaj deklaroi se “PD disponon dokumente zyrtare që e provojnë këtë lidhje”. “Një vendim për arrest me burg e vendosur nga Gjykata e Krimeve të Rënda për dy oficerët e lartë të policisë, Jaeld Çela dhe Gjergj Kohila, shef i antidrogës në Vlorë, me akuzën e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, kultivim dhe trafikim të kanabisit. Dokumenti me 18 faqe është bazuar në të dhënat e antimafias italiane, e cila ka përgjime bisedash mes Habilajve dhe drejtuesve të lartë të Policisë së Vlorës, të cilët vërtetohet se ishin garantët e trafikut të kanabisit drejt Italisë. Këto biseda provojnë se Policia e Shtetit ishte kthyer në roje të trafikimit të kanabisit. Drejtori i policisë ka dekonspiruar operacionet e SHISH-it për llogari të Habilajve, që në përgjime quhen “kusho të ministrit”. Këto gjenden të zbardhura në mesazhet e telefonit të Çelës, që është i vlefshëm për të provuar se pikërisht ai ishte pika e kontaktit me Tahirin, nëpërmjet shoferit të tij dhe mikut të ministrit, Orest Sota”, u shpreh Alibeaj. Deputeti demokrat shtoi se “çdo shqiptar që i dëgjon këto fakte e ka të qartë se nuk janë lidhje rastësore, por janë lidhje që tregojnë se Tahiri ka qenë garancia politike për trafikimin e kanabisit nga banda e Habiljave”. “Pse për drejtorin e Policisë së Vlorës ka një kërkesë për arrest me burg dhe për Saimir Tahirin jo? Edi Rama po mbron Tahirin dhe veten, duke u kthyer në pengesën kryesore për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian”, mbylli deklaratën e tij Alibeaj.