PD-PS, përfitim politik për imunitetin

486
Sigal

PD-ja dhe PS-ja i trajtojnë reformat e 12 prioriteteve, thua se kryejnë angarinë politike  që u kanë ngarkuar ndërkombëtarët

Dje, edhe pse ishte e programuar, u kohëzvarrit për 2-3 javë të tjera, diskutimi  i amendamenteve të PS-së, për ndryshimet kushtetuese në Këshillin e  Legjislacionit. Ja arsyeja  politike e kohëzvarritjes të diskutimeve të amendamenteve të PS-së: “Rusmajli, kryetari i Komisionit të Ligjeve: Dua që ta kem diskutimin sa më profesional, nuk i futem thelbit të çështjes, prisja prezantim të thelluar e profesional e krahasues. Ne duam kohë racionale, të mund t’i lexojmë me seriozitet, t’i vlerësojmë e të japim një gjykim profesional.” Ndërsa deputeti i PD-së, Paloka, tha: “2 ose 3 javë na duhen sepse shumëkush prej nesh nuk e ka lexuar draftin”. Pohojnë vetë deputetët e PD-së, i kohëzvarritin amendamentet e PS-së, thjesht, se nuk i kanë…lexuar. Sa javë, sa muaj kohë duan deputetët që të lexojnë disa amendamente? Shqipëria, shqiptarët, sa dekada vitesh duhet të presin deputetët që të ndërgjegjësohen për përgjegjësinë e mosintegritetit?  Nga ana tjetër, PS-ja shumë herë proteston, kushtëzon thjesht se bën opozitë për opozitë, derisa në kohëskadimin e minutave të fundit, pranon dhe voton e bindur, ato që ka kundërshtuar me kaq forcë, javë, muaj, vite me radhë.  PS-ja, duke opozituar kështu, më shumë kërkon të bëjë stuhi në gotë, sesa opozitë konstruktive. Serioziteti i reformave të 12 prioriteteve të Integrimit, katandiset në absurditet.  Dështimi dy herë radhazi i marrjes të statusit kandidat, fakti që Shqipëria po mbetet e fundit, edhe nga vendet ballkanike, që nuk po futet as në paradhomën e BE-së, dëshmojnë se klasa politike në këto 21 vite parademokracie, Integrimin, nuk e kanë strategji, nuk e kanë përparësi. Palët politike nuk përpiqen aspak që të bashkëpunojnë për të gjetur ato mundësi politike, që ofrojnë një qasje, një produkt konsensual të problemeve, të cilat janë përparësore, jo të interesave partiake, por të procesit të Integrimit të Shqipërisë. Kjo ka vetëm një shpjegim të logjikshëm. PD-ja dhe PS-ja  i trajtojnë reformat e 12 prioriteteve të Integrimit, si një angari politike që u kanë ngarkuar ndërkombëtarët. Mosdhënia e statusit dy herë është provësia që PD-PS, luajnë pingpong me njëra- tjetrën, përsa u përket reformave të Integritetit, ndërsa parësore kanë interesat dhe privilegjet partiake, që duan të përfitojnë nga këto reforma, në dëm të palës tjetër.  PD-ja mendon më shumë kë do të emërojë në SHISH, në KLD, kë Kryeprokuror?  Ndërsa opozita, duke e paraquajtur luftën të humbur, për mungesë numrash, nuk garon në procesin e zgjedhjes të Presidentit. Të gjykosh se  në një sistem të pretenduar demokratik, votimi i 3/5 është sundim i pakicës, dhe 51 % i shumicës të jep të drejtën që të zaptosh të gjitha institucionet, më tepër ka mykun e mentalitetit të diktaturës totalitare komuniste, sesa emancipimin dhe kulturën  demokratike, që pretendojmë të ndërtojmë.  Kujtojmë zvarritjet e pas hershme të reformës zgjedhore, ku megjithë këmbënguljet, ultimatumet e faktorit ndërkombëtar, PD-PS, në çdo rast,  tensiononin ngërçet e reformave të 12 prioriteteve, duke shkaktuar stuhinë ne gotën e ujit, ngaqë  nuk donin kurrsesi të lëshonin istikamin e privilegjeve partiake. Kujtojmë reformën parlamentare, e cila ka tejkaluar çdo afat kohor të përcaktuar nga ndërkombëtarët, e cila ende nuk është miratuar. Dhe e dini përse? Opozita nuk jep konsensusin, pa u risjellë vota e fshehtë dhe kohëfolja e Kryetarit të opozitës në Parlament. PD-ja, këto kërkesa i cilëson “sundim i pakicës” në demokraci. Reforma e Imunitetit po thyen çdo rekord të ngërçeve politike, si për të dëftuar, që një lojë pingpongu politik, mund të zgjasë edhe me muaj të tërë. Ndoshta është për në Librin politik Gines, që ndërsa PD-ja dhe PS-ja,  e kanë hartuar  së bashku projektreformën e Imunitetit, gjithsesi nuk mund ta miratojnë. PS-ja, e kushtëzon konsensusin e saj edhe me kushte të tjera, që ndoshta nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë më këtë reformë, PD-ja -derisa ka në dorë shumicën e thjeshtë parlamentare – e quan të drejtë absolute të saj, të vendosë çfarë të dojë ajo, për gjithçka, duke i ngushtuar çdo hapësirë demokratike opozitës. Kohështyrja e diskutimeve të amendamenteve të PS-së  nga PD-ja, në Këshillin e Legjislacionit, ndoshta shpjegohen me mendësinë politike, që  propozimet e opozitës  nuk kanë ndonjë vlerë politike që mund të pasurojnë reformën e Imunitetit. PS-ja, si kundërreaksion, kërcënon, që nuk do të japë konsensusin për projektligjet e tjera, sikurse të Gjykatës së Lartë. Koha politike po skadon,  tetori po troket, ndërsa ngërçet politike midis PD-PS, po tensionohen edhe më shumë. Përgjegjësia politike e dështimeve të reformave të Integrimit, i ngjan atij topi të pingpongut, që raketa e akuzë-kundërakuzë e dërgon vetëm në drejtim të kundërshtarit.

Pandeli Majko, PS: “Çudia ishte, unë dëshiroj ta nënvizoj dhe përsëris fjalën, çudia ishte që PD-ja kërkoi dy javë kohë. Dy javë kohë për të menduar për një varg propozimesh për të cilat ka rreth të paktën dy muaj, të paktën nga pikëpamja e Rregullores së Parlamentit, që diskutohet. PD-ja gjeti rast të bëjë një humor të hidhur”.

  Ilir Rusmajli, PD: Ne duam kohë racionale, të mund t’i lexojmë me seriozitet, t’i vlerësojmë e të japim një gjykim profesional”.

 Edi Paloka, PD: “2 ose 3 javë na duhen sepse shumëkush prej nesh nuk e ka lexuar draftin”, – tha Edi Paloka”.