PD: Policia jashtë detyrës trafikantët lidhje me politikën

515
Sigal

Partia Demokratike ka bërë akuza të forta ndaj Policisë së Shtetit. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani tha se trafikantët e kokainës kanë lidhje deri në nivelet më të larta të politikës dhe Policisë së Shtetit. Sipas tij policia është larguar nga detyra e saj, ndërsa krimi dhe pasiguria kanë krijuar panic tek qytetarët. 

Deklarata e plotë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD

Rikthimi i atentateve me tritol, është një dëshmi tronditëse e faktit se Edi Rama dhe ministri i tij vazhdojnë të ndjekin kursin e mbajtjes së Policisë larg detyrës së saj themelore, që është rendi dhe siguria publike.

Shpërthimet e njëpasnjëshme kanë krijuar panik tek qytetarët, ndërkohë që Policia vazhdon të mburret cdo ditë me arrestimet e fukarenjve që nuk kanë lekë të paguajnë energjinë.

Vetë fushata represive për energjinë, ndërkohë është selektive, debitorët e mëdhenj me 205 milionë janë në pushtet, ndërsa të pamundurit po mbushin qelitë.

Largimi i policisë nga detyra e saj themelore, rendi dhe siguria, u pa qartë edhe në rastin e instalimit të fabrikës së Kokainës në zemër të Shqipërisë dhe ngritjes së atij rrjeti të rrezikshëm kriminal.

Për më keq, informacionet e reja në lidhje me kolumbinë e Xibrakës, dëshmojnë për depërtimin e lidhjeve të krimit si metastaza, deri në nivelet më të larta të Policisë dhe Politikës.

Duke u larguar nga fokusi i saj kryesor, duke u përdorur për porosi, prioritete politike dhe propagandë qeveritare, policia në fakt ka braktisur qytetarët në nevojën e tyre më të qënësishme, që është rendi dhe siguria.

Partia Demokratike ka theksuar e vazhdon të theksojë, që Policia e Shtetit duhet të kthehet në detyrën e saj në luftën ndaj krimit, për të garantuar rend e siguri. Të kthetet tek arsyeja kryesore e ekzistencës së saj.

Tregimi i forcës dhe i dhunës ndaj qytetarëve të zakonshëm, nga njëra anë, dhe flirtimi me bandat e trafikantët nga ana tjetër, është goditja më e madhe që mund ti bëhet rendit dhe sigurisë në vend.

Shqiptarët nuk mund të rrinë gjatë duke u lutur që tritoli, plumbat, kokaina, burgimi i padrejtë të mos i afrohet në derë të shtëpisë.

Të jemi të sigurt që po nuk reaguam, me këto përmasa që ka marrë krimi nën udhëheqjen e rilindjes, cdo shqiptar është i pasigurt.