PD nuk bëhet pjesë e strukturës parlamentare që mbikëqyr vettingun në polici: Është farsë!

486
Sigal

Që kur maxhoranca miratoi ligjin për vettingun në Policinë e Shtetit, Partia Demokratike e cilësoi atë si një mekanizëm fasadë i Qeverisë që, me propagandë, të mbulojë lidhjet e Qeverisë me krimin e organizuar, të mbajë nën kontroll politik dhe të realizojë spastrime politike në Policinë e Shtetit.

Argumenti kryesor i opozitës për ta cilësuar procesin e vettingut në polici si farsë, ishte mospranimi i propozimit thelbësor të PD, që vettingu në radhët e Policisë së Shtetit të fillojë nga drejtuesit politikë, duke nisur me Ministrin e Brendshëm.

Këto argumente Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho i ka renditur në një letër për Kryetarin e Kuvendit, të cilin e njeh me vendimin e PD për të mos u bërë pjesë e nënkomisionit parlamentar, që do të mbikëqyrë zbatimin e ligjit për vettingun në polici.

‘Sa kohë procesi i vettingun, drejtohet nga një Ministër i Brendshëm, i lidhur me krimin e organizuar dhe që nuk pranon që vetë të jetë subjeki i procesit të vettingut, opozita e konsideron këtë proces një farsë të papranueshme, ku nuk mund të bëhet pjesë’, – thotë kreu i deputetëve demokratë, Edmond Spaho.

Për PD është e papranueshme që, një punonjës i thjeshtë i Policisë së Shtetit, të konsiderohet me ligj si i papërshtatshëm me detyrën për shkak se një kushëri i tij është i dënuar më parë, ndërkohë që drejtuesi politik, Ministri i Brendshëm, e ka vëllanë të dënuar dhe në burg për trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.