PD: Ndërkombëtarët të monitorojnë procesin në Kavajë, prova të reja për manipulime

487
Partia Demokratike deklaron se do të dorëzojë sot në Prokurori prova të tjera të procesit fiktiv të importit të zgjedhësve në Kavajë.
Deputeti Eduard Halimi tha sot në një deklaratë për median se “në 12 ditë janë importuar 595 votues përmes 194 kontratave fiktive në Kavajë”
PD I kërkon prokurorisë të kryejë hetime të shpejta dhe paralajmëron për tu tërhequr menjëherë nga kjo skenë kriminale që synon manipulimin e rezultatit zgjedhor.
“Përgjegjës për këtë do të ketë vetëm 1 dhe ai është Edi Rama” tha Halimi dhe i bërë thirrje qytetarëve të Kavajës të mos mashtrohen duke u bërë pjesë të skemave të tilla kriminale.
“Të mos shesin votën pro të denoncojnë në PD çdo akt”- tha më tej Halimi- duke i bërë thirrje SHBA-së, BE-së dhe ODIHR të monitorojnë nga afër procesin zgjedhor në Kavajë”

Deklarata e plotë e deputetit Halimi 
Një javë më parë Partia Demokratike e degës Kavajë bëri publike dhe dorëzoi kallëzim në prokurori mbi një skeme kriminale për manipulimin e zgjedhjeve që ka ndodhur në Bashkinë e Kavajës. Kryetari në ikje i kësaj bashkie brenda 12 ditëve ka importuar fiktivisht të paktën 595 votues nëpërmjet 194 kontratave fiktive të nënshkruara personalisht prej tij në kundërshtim flagrant me ligjet dhe detyrën publike që mban ende.
KQZ po ashtu ka dërguar në prokurori dosjen e plotë të kësaj skeme kriminale me gjetjet e auditit të këtij institucioni, prova që gjenden pranë zyrave të Gjendjes Civile Kavajë nën mbikqyrjen e vetë personit të akuzuar për krijimin kësaj skeme.
Ekspertët e Partisë Demokratike kanë mbledhur këto ditë të dhëna të reja që vërtetojnë plotësisht se procesi për importimin e zgjedhësve për 3 muaj nga kryetari në ikje i Bashkisë së Kavajës, me mbrojtje të plotë nga Kryeministri, është tërësisht fiktiv.
Sipas 194 kontratave të nënshkruara në 12 ditë nga kryetari në ikje i Bashkisë Kavajë, rezulton se 194 familje kanë lënë shtepitë e tyre dhe janë shpërngulur për të banuar vetëm 3 muaj në këtë ngrehinë që tregohet në foto. Dhe që sipas kryetarit në ikje të Bashkisë, nenit 3 të kontratës së firmosur prej tij, kanë ardhur këtu për 3 muaj, pra deri në 24 korrik 2015, sepse nuk kanë ku të jetojnë dhe kryetari në ikje po ua përmirëson kushtet e jetesës.
E gjithë kjo është vetëm një mashtrim, pasi nga dëshmitë e mbledhura në Partinë Demokratike të degës së Kavajës, Rrogozhinës dhe Tiranës rezulton se këta votues faktikisht jetojnë edhe tani që ne flasim në këto banesa.
Emrat e familjeve nuk i bëjmë publike për shkak të ruajtjes së të dhënave personale.
Por të gjitha fiktivisht sipas Kryetarit në ikje të Bashkisë Kavajë jetojnë këtu.
Foto dhe dëshmi do ju dorëzohen sot edhe prokurorisë edhe institucioneve ndërkombëtare.
Rasti i Kavajës dhe Durrësit, ku kryetarët në ikje të Bashkive kanë importuar zgjedhës është treguesi më i qartë se të dy e dinë shumë mirë vullnetin e qytetarëve për ti larguar njëherë e mirë në 21 qershor, ndaj dhe kanë krijuar të dy skema kriminale për deformimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Në emër të Partisë Demokratike i kërkoj edhe një herë me forcë Prokurorisë së Përgjithshme të kryejë hetime të shpejta dhe efikase në mënyrë që të ndalojë që në 21 qershor të votohet me lista fiktive apo të manipulohet vullneti i zgjedhësve.
Bllokimi i pasojave të ketyre skemave kriminale është i domosdoshëm dhe duhet të bëhet menjëherë nga prokuroria. Listat e zgjedhësve në Kavajë me të pakten 595 votues fiktivë duhet të bllokohet bashkë me të gjithë praktikat e ndjekura, duke mos i lënë mundësi organizatorëve dhe ekzekutorëve të këtij krimi elektoral të deformojnë dhe prishin provat e krimit.
Partia Demokratike paralajmeron Kryeministrin dhe kandidatin e tij të tërhiqen menjëherë nga ky krim elektoral dhe kjo skemë e ndodhur në Kavajë. Skemat kriminale që synojnë manipulimin e rezultatit zgjedhor shkatërrojnë procesin e zgjedhjeve të lira dhe për këtë ka dhe do të ketë vetëm një pergjegjës: Kryeministrin Edi Rama.
I bëjmë thirrje qytetarëve të Kavajës dhe gjithë Shqipërisë, të mos mashtrohen dhe të mos bëhen pjese e skemave të tilla kriminale. Të mos shesin votën e tyre në këmbim të favoreve për para dhe vende pune. Të vijnë pranë Parftisë Demokratike dhe të denoncojnë çdo fakt që ka të bëjë me ekzistencën e këtyre skemave kriminale.
I bëjmë thirrje BE-së, SHBA-së dhe OSBE-së që të monitorojnë nga afër procesin zgjedhor në Bashkinë e Kavajës dhe të vijojnë mbledhjen dhe administrimin e fakteve që provojnë ngritjen e skemave kriminale për manipulimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në këtë bashki.
Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë që bashkë me partnerët ndërkombëtarë të mbrojë çdo votë dhe zgjedhjet e lira në vend, me çdo mjet dhe formë
Sigal