PD: Ndërhyrja në serverin e Tatimeve, krim i kabinetit të Rilindjes

444
Sigal

Bllokimi i hetimeve për ngritjen e komisionit hetimor për vjedhjen e pretenduar të të dhënave nga serveri i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, është akuza e radhës e PD për maxhorancën. Këto akuza i bëri publike dje deputeti Oerd Bylykbashi. Ndërhyrja në serverin e Tatimeve nga një grup specialistëve, mes tyre dhe vëllai i ministrit Damian Gjiknuri, vazhdon të jetë një “armë e fuqishme” e opozitës kundër qeverisë së Rilindjes. “Nga ai server u morën të dhëna që ligji nuk i lejon dhe që mund t’i merrnin vetëm zyrtarët në pushtet. Ne kërkojmë të nxjerrim jo vetëm përgjegjësit e kësaj vjedhjeje, por edhe t’i çojmë ata para ligjit… Janë përpjekje zvarritëse dhe bllokuese të maxhorancës që ky komision të bllokohet. Por ngritja e këtij komisioni është e drejtë kushtetuese e opozitës”, ka nënvizuar Bylykbashi.

Ai ka prekur edhe votimin e djeshëm në Parlament për hetimin mbi lëvizjet në administratë, duke e cilësuar si absurd qëndrimin e maxhorancës. “Dje maxhoranca cënoi sërish objektin kushtetues të komisionit të kërkuar nga ne, që është i paprekshëm. Njësoj si me Komisionin e Drogës, maxhoranca po kontrollon veten e saj”, ka shtuar Bylykbashi. Sipas PD-së, ndërhyrja në server është bërë me urdhër të krerëve më të lartë të qeverisë, duke angazhuar në këtë veprim antiligjor njerëzit më të besuar, mes të cilëve dhe vëllanë e Gjiknurit. Ndërkohë, Prokuroria ka nisur hetimet për këtë skandal.