PD: Ministrat do të thirren për strukturën e re të qeverisë

452
Kryetari demokrat, Lulzim Basha, ka mbledhur dje kryesinë e grupit parlamentar dhe ka kërkuar angazhim më të madh nga të gjithë deputetët për aksionin e ardhshëm opozitar. Kryetari demokrat mësohet se ka kërkuar angazhim me kohë të plotë dhe jo të pjesshme të deputetëve. Sipas një kalendari do të përcaktohen ditët për përgatitjen e deputeteve për oponencën në Parlament, si dhe ditët e takimit me qytetarët. Ndërkohë, nënkryetari i Kuvendit, Edi Paloka, u shpreh dje se demokratët kanë rënë dakord që llogaridhënia për ministrat e kabinetit të bëhet edhe përmes Kuvendit. Ministri i Financave, Ekonomisë dhe Punës, Arben Ahmetaj dhe ai i Transportit e Energjisë, Damian Gjiknuri, janë ministrat e parë që do thirren të raportojnë në komisionet parlamentare. “Ramë dakord që të thirren disa prej ministrave dhe të kërkohet informacion lidhur me strukturën e re të qeverisë, e cila duket qartazi që nuk është një strukturë që është ngritur për të funksionuar mirë qeveria, por një strukturë që siç e kemi thënë dhe në seancën e parë është ngritur vetëm me dy qëllime: Së pari t’u gjejë punë ish-bllokmenëve dhe pinjollëve të bllokut, dhe së dyti të ketë një strukturë sa më të përshtatshme që paratë e shqiptarëve të kalojnë pa shumë problem nga ato të dy ministrave kryesor që do të kontrollojnë paratë e gjithë shqiptarëve, nga xhepat e tyre në xhepin e Edi Ramës”, shtoi Paloka.
Sigal