PD-LSI, Vasili i përgjigjet Bashës: Problemi juaj është oligarkia, dekriminalizimi standard i panegociueshëm i LSI

459
Sigal

  

Z. Vasili, Lëvizja Socialiste
për Integrim ka paraqitur më herët një amendament lidhur me koncesionet e mëdha
që po miratohen, konkretisht lidhur me laboratorët spitalor. Në fakt u bë edhe
votimi në parlament dhe ne pakë qëndrimin që mbajti LSI, pro së fundmi kemi
parë disa akuza drejt LSI-së. Çfarë komenti keni lidhur me këtë?

Lëvizja
Socialiste për Integrim ka qenë shumë e qartë në qëndrimin e saj politik lidhur
me një problem të caktuar që kishte të bënte me buxhetin e vitit 2017 dhe që
kishte të bënte në mënyrë konkrete me koncesionin e laboratorëve për të cilin
ne nëpërmjet amendamentit formësuan një qëndrim politik konkret i cili
finalizonte një qëndrim politik sistematik të mbajtur prej kohësh.

Dhe
sigurisht ky amendament u paraqit në Kuvend dhe u votua me insistimin tonë, pra
për të pasur qëndrimin e qartë lidhur me këtë çështje. Dhe LSI në tërësinë e
saj e mbështeti plotësisht një amendament të tillë dhe u mbështet edhe nga një
pjesë e deputetëve të tjerë në sallë, ku besoj se shumica e tyre ishin të
Partisë Demokratike.

Unë
kam dëgjuar disa komente politike lidhur me këtë çështje, në mënyrë të veçantë
komentet e bëra nga kryetari i Partisë Demokratike, z. Basha. Jam çuditur nga
komentet e tilla, se nuk e kam kuptuar dhe e kam shumë të paqartë, por kjo është
një detyrë e Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës të sqarojnë që PD dhe Lulzim
Basha janë në këtë realitet apo ndodhen në qiellin e shtatë. Ndodhen këtu në
Shqipëri apo ndodhen në Holandë. Dhe kamë vërejtur dhe dua ta bëj të qartë që
problem i Partisë Demokratike dhe i Lulzim Bashës nuk është LSI-ja, por
oligarkia dhe çlirimi i saj nga trysnia e kësaj oligarike në mënyrë që ajo të
ketë mundësi të jetë e qartë se ku ndodhet pasi pozicioni i saj është shumë i
paqartë, jo me LSI-në, por me interesin publik. Pasi nisma jonë ishte një nismë
që lidhej me një qëndrim ndaj interesit publik të cilin në vlerësimin tonë si
LSI jamë krejtësisht indiferent përsa i takon çfarë mendon Partia Demokratike,
ishte që këtu duhej mbajtur një qëndrim i caktuar për këtë çështje.

Ndaj
në këtë raport ne kemi pasur një pozicion shumë të qartë. Është një pozicion i
cili lidhet me pozicionin tonë politik për të mbështetur në tërësi buxhetin e
shtetit dhe objektivat që ai i vë vetes dhe ky buxhet i ndërtuar mbi një aleancë
politike në të cilën ne qartësisht e kemi mbështetur bazuar në marrëveshjen që
kemi bërë në Shkodër në pranverën e vitit 2013. Pra ky është raporti ynë
politik. Por e kemi pasur shumë të qartë dhe të pa negociueshëm që aleanca jonë
me qytetarët dhe me interesin publik, është një aleancë që mbizotëron mbi të
gjitha aleancat ku në çdo konstatim që ky interes publik, cenohet, rrezikohet
dhe kërkon qëndrimin tonë, e kemi mbajtur dhe do ta mbajmë në mënyrë të prerë,
krejtësisht në mënyrë të pavarur dhe të pa shqetësuar se çfarë mendojnë forca të
tjera politike, apo dhe në rastin konkret Partia Demokratike dhe kryetari i
kësaj partie.

Sigurisht
PD i duhet përfundimisht të qartësoj pozicionin e tyre, ku ndodhen dhe cili është
raporti i tyre i vërtet me këtë interes publik. Por gjithsesi në të gjitha
rastet është çështja e tyre. Edhe komenti im, deri në këtë pike, pra sigurisht
duke ua lënë në mënyrë të plotë, sepse është në domenin e tyre të vendosin si të
duan, të sillen si të duan, ta vlerësojnë, të mos ta vlerësojnë, të mos ta
mbështesin me votë, të ikin nga votimi, të bëjnë si të duan, është vendim i
tyre dhe nuk kam pse t’i komentojë. Por qëndrimi ynë është i prerë dhe i qartë,
ky interes publik dhe kjo aleancë me qytetarët të cilët janë të shqetësuar për
fatet e tyre, por janë shqetësuar edhe për interesin publik që ka lidhje direkt
me ta, është një aleancë e cila prevalon dhe do të prevalojë mbi të gjitha
aleancat e tjera.

Sa
i takon raporteve politik, raportet tona politike kanë qenë dhe mbetet pro
raporteve të ndershme politike. Kemi një aleancë politike në të cilën bëjmë
pjesë të cilës i kemi qëndruar me korrektesë dhe me ndershmëri siç është në
dimensionin tone. Dimension tashmë i cili është standard i ri në politikën
shqiptare. Mbase nuk është standard i të gjithëve, por është standard i
panegociueshëm i LSI-së. Po të njëjtën korrektesë kemi pasur edhe në
marrëveshjen politike që kemi pasur me Partinë Demokratike. Urojë që ta bëjnë
dimension të tyre të gjitha forcat politike pasi e bëjnë politikën më të
pastër, e bën më transparente dhe e bën të qartë përpara qytetarëve se kush është
i vendosur sinqerisht në raport me opinionin dhe me interesin publik, dhe kush
bën sikur është në favor të këtij interesi.

Ky
gjykim i qytetarëve të jeni të bindur që është një gjykim objektiv dhe shumë i
ftohtë të cilin nuk e shmangin dot asnjëri dhe është në vlerësimin e tyre se
cilët janë ata që në mënyrë konstante i kanë qëndruar rojë këtij interesi
publik.

 

Ndërkohë do të donim edhe një
qëndrim tuajin si kryetar i grupit të LSI lidhur me deputetin Shkëlqim Selami.
Në media është publikuar e shkuara tij. Në fakt cili është qëndrimi i LSI-së
për këtë ?

Lidhur
me këtë çështje, sigurisht edhe unë jam njohur nëpërmjet medias. Unë si kryetar
i grupit parlamentar nuk kam pasur asnjë informacion për rekorde të tilla që
kanë të bëjnë me deputet të grupit parlamentar të LSI-së. Pra nuk kam pasur dhe
nuk ka ekzistuar ndonjë informacion lidhur me këtë çështje. Por kjo nuk do të
thotë asgjë pasi ne e kemi mbështetur me forcë që natën kur është bërë
marrëveshja për dekriminalizimin dhe gjatë gjithë procesit të miratimit të
ligjit, procesin e dekriminalizimit.

Dhe
në këtë çështje, ky është një standard i panegociueshëm i yni dhe bazuar në një
qëndrim të tillë, shumë të prerë dhe të rreptë, ne e mbështesim plotësisht
Prokurorinë dhe të tëra agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, të cilat ligji
i dekriminalizimit i ngarkon me këtë çështje, që të qartësojnë gjithçka që
lidhet edhe me çështjen në fjalë, edhe brenda, edhe në agjencitë partnere
jashtë vendit kudo ku duhet, dhe qëndrimi në përputhje me ligjin është qëndrimi
ynë i vetë. Dhe ky qëndrim është në mbështetje të plotë dhe ligji i
dekriminalizimit duhet të veprojë pa hezitim dhe fortë drejtë të gjithëve, duke
filluar nga unë i pari dhe deri tek deputeti i 140 pasi ne e kemi pasur një
standard tonin shumë të fortë në LSI. Zgjedhjet të vitit 2015 për pushtetin
vendor provuan që LSI ishte një parti krejtësisht e pastër në rekorde të tilla.
Por edhe nëse në të ardhmen do të konstatohet qoftë edhe një rast i vetëm apo më
shumë, në çast ata janë njerëz që duhet të përgjigjen para ligjit. Nuk kanë të
bëjnë më fare me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe ligji duhet të veprojë në
mënyrë të qartë dhe të rreptë. Kemi këtë bindje të fortë dhe të panegociueshme
pasi pa një dekriminalizim të thellë, të fortë, të vërtetë nuk mund të kemi as
një reformë në drejtësi që zbatohet si duhet, nuk mund të kemi as zgjedhje të
mirë, të lira dhe të ndershme dhe nuk do të kemi as një shoqëri dhe politikë më
të besueshme.

Ndaj
duke marrë shtysë nga pyetja juaj, ky standard i yni është i qartë dhe i prerë.
Inkurajojmë me gjithë fuqinë që ligji të bëj verifikimet shpejt dhe kushdo që
rezulton që është i papërputhur dhe ka probleme me ligjin e dekriminalizimit,
sigurisht që nuk është më pjesë e LSI-së pa asnjë diskutim, dhe organet përkatëse
ta kryejnë detyrën e tyre me korrektesë dhe me thellësi duke i çuar të gjitha të
vërtetave apo të gjitha të fakteve deri në fund për t’i zbardhur çështjen.