PD-LSI: Ndryshime Kushtetutës për kryeprokurorin

519
Opozita propozoi ndryshime në Kushtetutë për të përcaktuar rregulla të qarta për zgjedhjen e një prokurori të përkohshëm, duke kërkuar në këtë mënyrë anulimin e caktimit në këtë detyrë të Arta Markut, dhjetorin e kaluar. Zgjedhja e Markut si kryeprokurore e përkohshme shkaktoi tensione në sallën e Kuvendit dhe jashtë saj, si dhe përleshje mes deputetëve e gardës. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë hartuar amendamentin përkatës, sipas të cilit deri në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, përmes propozimeve nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, funksionet do të ushtrohen “nga një prokuror i caktuar nga Kuvendi, me tre të pestat e anëtarëve të tij, mes kandidaturave të propozuara nga Gjykata Kushtetuese, për një mandat të përkohshëm”. Po sipas propozimit, kandidaturat i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me procedurë të përshpejtuar, rreth 30 ditë. Opozita kërkon që me hyrjen në fuqi të këtij ndryshimi, kryeprokurores aktuale t’i quhet i përfunduar qëndrimi në detyrë. “Miratimi i këtij projektligji, dhe përzgjedhja e një Prokurori të Përgjithshëm, të paanshëm dhe të pavarur politikisht, do të rikthente ligjshmërinë në funksionimin e sistemit të prokurorisë, si dhe do të garantonte zbatimin e Reformës në Drejtësi, sipas parashikimeve të ndryshimeve kushtetuese të 22 Korrikut 2016, duke siguruar njëkohësisht efektet e pritshme të saj dhe rikthimin e besimit të publikut tek organet e sistemit të drejtësisë. Për këtë qëllim, ftojmë të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që të miratojnë këtë propozimi”, thuhet në relacion. Aty theksohet se “në të kundërt, provohet edhe njëherë qëllimi i mazhorancës për të siguruar kontrollin e plotë politik mbi sistemin e drejtësisë, duke emëruar e vetme dhe në mënyrë të paprecedentë, pa bashkëveprim me asnjë organ tjetër kushtetues, Prokurorin e Përgjithshëm, me qëllimin e vetëm të përdorimit politik të këtij organi dhe dështimit të hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion, trafik lëndësh narkotike, mbështetje të grupeve kriminale apo veprimeve të tjera kriminale”. “Duke vepruar në mënyrë, mazhoranca do të minonte zbatimin rigoroz të Kushtetutës dhe ligjit, me pasoja të parikuperueshme në funksionimin e pavarur të organeve të reja të sistemit të drejtësisë. Duke ndërmarrë veprime në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, po rrezikohet seriozisht rezultati i pritshëm i vetë Reformës në Drejtësisë,” thuhet në relacionin e opozitës. 

Propozimi për ndryshime kushtetuese erdhi në hapje të sesionit të ri parlamentar. Opozita e kundërshtoi me forcë zgjedhjen e Arta Markut dhjetorin e shkuar, vetëm me votat e shumicës, duke e cilësuar si një shkelje flagrante të Kushtetutës dhe përpjekje të shumicës për të vënë sipas saj nën kontroll drejtësinë. Polemika kanë shkaktuar edhe vendimet e shefes së organit të akuzës për lëvizjen e disa drejtuesve të prokurorive në rrethe, të cilët ishin të komanduar apo dhe të drejtoreshës së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe e njësisë së dekriminalizimit, në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi. Kjo e fundit ju drejtua menjëherë me një ankesë Gjykatës administrative, duke e konsideruar lëvizjen e saj nga posti si shkelje të ligjit. Mandati i ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, përfundoi më 7 dhjetor, ndërkohë që Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ishte ngritur ende. 

Propozimet
“Prokurori i Përgjithshëm në detyrë i përfundon koha e qëndrimit në detyrë të nesërmen e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Deri në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm sipas procedurës së parashikuar në nenin 148/a të Kushtetutës, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm do të ushtrohen nga një prokuror i caktuar nga Kuvendi, me tre të pestat e anëtarëve të tij, mes kandidaturave të propozuara nga Gjykata Kushtetuese, për një mandat të përkohshëm. Nëse Kuvendi nuk arrin shumicën e caktuar për zgjedhjen brenda 10 ditëve nga propozimi, kandidati i rendit i pari, që ka kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar sipas ligjit, konsiderohet i emëruar. Kandidatët i nënshtrohen procesit të rivlerësimit me procedurë të përshpejtuar dhe me përparësi ndaj të gjithë subjekteve të tjera të rivlerësimit. Rregullat e detajuara për caktimin e prokurorit që do të ushtrojë funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të përkohshëm dhe afatet për realizimin e procesit të vlerësimit të kandidatëve dhe rivlerësimit kalimtar të tyre përcaktohen me ligj”.
Sigal