PD-LSI gjejnë gjuhën e përbashkët, kushtet që i vënë Ramës për zgjedhjet e 18 qershorit

465
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka quajtur një kërkesë kyçe dhe të patejkalueshme votimin elektronik në zgjedhjet e 18 qershorit. Ai tha se opozita do të kushtojë çdo qëndrim tjetër në Parlament dhe jashtë tij me pranimin e platformës që ka paraqitur që në muajin maj.
“Kemi rastin të rikonfirmojmë para qytetarëve qëndrimin tonë sa i përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Qëndrimi i unifikuar i opozitës parlamentare është se në këto zgjedhje nuk mund të vendosin kriminelët por qytetarët, nuk mund të vendosë varfëria dhe korrupsioni qeveritar përmes shit blerjes së votës, por vullneti i qytetarëve. Zgjedhjet janë në rrezik për shkak të krimit dhe korrupsionit, shitblerjes së votës dhe mosgarantimit të votës së qytetarëve”, u shpreh Basha në përfundim të një takimi me partitë aleate.
Sipas tij “për këtë opozita ka paraqitur një platformë prej 17 majit dhe prej asaj dite Rama e ka sabotuar. Ne sot kemi rënë dakord për një platformë që është një kusht i patejkalueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet do ti vendos vullneti i qytetarëve. Rikonfirmojmë në këtë platformë votimin elektronik. Kohë më nuk ka. Çështje më të rëndësishme se kjo për shqiptarët nuk ka. Opozita do të kushtëzojë çdo veprim të mëtejshëm me avancimin e reformës zgjedhore”.
Cfarë kushtëzoni?
Cdo veprim tjetër është sekondar përpara garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. E gjithë energjia jonë, i gjithë aksioni ynë politik brenda dhe jashtë kuvendit do të jetë për të diktuar zgjedhjet e lira.
Ka vend për shtyrje zgjedhjesh?
Mos të futemi në detaje që paragjykojnë qëndrimin tonë. Ne besojmë se shqiptarët, përveç një grupi, duan zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duam që qeverisjen e ardhshme të mos e diktojë krimi, por vota e qytetarëve.
Ligji i dekriminalizimit është në kushtetuese…
Sigurisht, sepse Rama e ka shprehur që në fillim për ta shfuqizuar.
Në tryezën e Komisionit ka një propozim për lista të hapura. Jeni pro?
Përshëndes qëndrimin e LSI pro votimit elektronik, eliminon mbledhjen e kartave të identitetit. Sa i përket sistemit zgjedhor, PD nuk është pengesë për listat e hapura. Personalisht jam shprehur për çdo sistem që fuqinë ia kalon qytetarit, lista të hapura, maxhoritar, apo ta bëjmë me ligj që partitë ti zgjedhin me votë nga anëtarësia. Ne nuk jemi pengesë për listat e hapura, por diskutimi për listat e hapura është dhe mbetet propagandistik për sa kohë që nuk garantohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Votimi elektronik është kërkesë kyçe dhe e patejkalueshme.