PD-LSI bashkojnë forcat për rrëzimin e qeverisë

671
Mbledhje e përbashkët e grupeve parlamentare të opozitës për të diskutuar lëvizjet politike ndaj mazhorancës. Kërkesa për negociatat, kritikat për drogën e krimin dhe strategjia kundër Edi Ramës
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim bashkojnë forcat në opozitë për hartimin e një strategjie të përbashkët politike kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Grupet parlamentare të PD-së dhe LSI-së kanë zhvilluar dje një mbledhje të përbashkët nën drejtim e Lulzim Bashës e Monika Kryemadhi, duke nënvizuar kërkesën për largimin e Ramës. Opozita u shpreh për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, ndërsa e bëri mazhorancën përgjegjëse për keqqeverisjen dhe lidhjen me krimin e korrupsionin. “Fatmirësisht jemi mbledhur për të njëjtën temë, çështjen madhore dhe kombëtare dhe shqetësimin numër një të opozitës, kushte që nuk po përmbushen. Më lejoni të rikonfirmoj në emër të PD-së, koalicionit opozitar, gjithë opozitës së bashkuar qëndrimin tonë të qartë dhe pa ekuivokë të cilin ia kemi komunikuar në vazhdimësi institucioneve evropiane, për të cilin kemi lobuar e vazhdojmë të lobojmë pranë partive tona simotra. Ne kërkojmë hapjen e negociatave. I kemi kërkuar dhe i kërkojmë miqve tanë të kërkojnë hapjen e negociatave. Është një akt që do të ndihmojë shqiptarët të dalin nga udhëkryqi i rrezikshëm që ndodhen sot”, tha Basha. Ndërsa kryetarja e LSI përmendi mitingun e 27 janarit si fillimin e një rruge pa kthim të opozitës. “Ata që menduan se mitingu menduan se mitingu i 27 Janarit ishte finalja e aksionit opozitar kanë menduar komplet gabim. Ai miting ishte fillimi i një rruge që s’ka kthim pas. Aty ka nisur beteja jonë me qeverinë e Edi Ramës, me qeverinë e narko-shtetit dhe kjo qeveri e krimit nuk mund të mbajë peng as shqiptarët, as politikën shqiptare dhe as të ardhmen e brezave të shqiptarëve përsa i përket çështjes së integrimit evropian”, u shpreh Kryemadhi.

Lulzim Basha: Me Edi Ramën, Shqipëria prodhon vetëm krim e drogë
Fatmirësisht edhe ne sot jemi mbledhur për të njëjtën temë, për çështjen madhore dhe kombëtare, dhe shqetësimin numër një të opozitës dhe shqiptarëve, kërcënimin që po i vjen integrimit evropian të vendit, anëtarësimit të Shqipërisë në BE, hapjes së negociatave, mospërmbushjes së kushteve të vendosura nga Komisioni Evropian dhe nga vendet anëtare, kushtet të cilat nuk po përmbushen si rezultat i rekordeve kriminale dhe korruptive të maxhorancës. Më lejoni të rikonfirmoj në emër të PD, në emër të koalicionit opozitar, në emër të gjithë opozitës së bashkuar, qëndrimin tonë të qartë dhe pa ekuivoke të cilin ia kemi komunikuar ne vazhdimësi institucioneve evropiane; për të cilin kemi lobuar e vazhdojmë të lobojmë pranë partive tona simotra në organizatat përkatëse, në rastin e PD pranë Partisë Popullore Evropiane. Ne kërkojmë hapjen e negociatave. Ne kemi kërkuar dhe u kërkojmë të gjithë miqve tanë të ndikojnë në hapjen e negociatave. Ne e bëjmë këtë me bindjen e thellë se hapja e negociatave është një akt që do t’ ndihmojë shqiptarët të dalin nga udhëkryqi i rrezikshëm ku ndodhen sot, do t’i ndihmojë përmes rritjes së monitorimit dhe mbikëqyrjes së institucioneve evropiane duke treguar dhe shpalosur të vërtetën, Shqipërinë reale të cilën Edi Rama dhe banda në pushtet mundohen ta mbysin ditë për ditë me tam –tamet e propagandës dhe me raportet false të cilat shpërndajnë nga mëngjesi deri në darkë anembanë globit. Pesë kushtet themelore të Komisionit Evropian dhe kushtet shtesë të vendeve anëtare janë larg përmbushjes. Dhe ne e dimë fare mirë se nëse ky mbetet një proces i vlerësuar thjesht dhe vetëm në bazë të meritës Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat. Kjo është arsyeja përse kemi shpalosur me forcë qëndrimin tonë duke argumentuar të qartë para institucioneve evropiane dhe para vendeve anëtare. Moshapja e negociatave do të ndëshkojë shqiptarët e ndershëm. Moshapja e negociatave do të pengojë arritjen e standardeve dhe plotësimin e 5 kushteve. Moshapja e negociatave do të ndihmojë klikën në pushtet të konsolidojë pushtetin e krimit, t’i shpëtojë rekordeve të tmerrshme të korrupsionit, të devijojë reformën në drejtësi dhe të kapë organet e drejtësisë, të shkatërrojë plotësisht ekonominë kombëtare duke e kthyer atë në një ekonomi të drogës dhe po kështu të shkatërrojë të gjithë investimin e Bashkimit Evropian dhe partnerëve tanë strategjikë, SHBA, të bërë në 27 vite për demokracinë dhe shtetin ligjor. Sot ka një faktor dhe një njeri që është i interesuar për mos hapjen e negociatave dhe ky është njeriu që kërcënon nga mëngjesi deri në darkë me skenarë rusë, kinezë, turq, por që nuk jep asnjëherë llogari: Se pse Shqipëria është sot në krye të listës së zezë për krimin e organizuar dhe trafikun e drogës? Se pse ministri i tij i Brendshëm, shembullori, më i miri, kryetari i PS-së së Tiranës, njeriu i ngarkuar në zgjedhjet e 2017-ës, në zgjedhjet e pjesshme në Dibër në 2016-ën, në zgjedhjet e 2015-ës, sikundër në zgjedhjet e 2013-ës drejtpërdrejtë si ndërlidhësi me grupet e krimit të organizuar për shitblerjen e votës. Njeriu i faktuar përmes partnerëve italianë si i përfshirë në trafikun e marijuanës dhe të armëve përmes bandës “Habilaj”, sot e kësaj dite vazhdon të mos dalë para drejtësisë. Për arsyen e thjeshtë: Sepse nga kjo sallë e ka mbrojtur me imunitetin parlamentar duke shndërruar parlamentin në gjykatë për të mbrojtur Saimir Tahirin dhe përmes Saimir Tahirit të gjithë qeverinë e tij të zhytur në krim dhe të kapur nga krimi. Kriteri i parë dhe kryesor, lufta kundër krimit, lufta kundër drogës jo vetëm që nuk ka njohur progres, por krimi dhe droga vazhdojnë të përbëjnë kërcënimin numër një për sigurinë kombëtare të vendit. Krimi dhe droga vazhdojnë të përbëjnë eksportin kryesor të Shqipërisë drejt Italisë dhe vendeve të BE, pra kërcënimin numër një edhe për sigurinë e vendeve partnere, edhe për strategjinë e sigurisë së NATO-s ku jemi anëtarë. Në vend që të luftojë krimin, në vend që të verë përpara drejtësisë njerëzit e evidentuar në raportet ndërkombëtare nga Habilajt tek Balilajt tek pronarët e vërtetë të kokainës të Maminasit, Edi Rama përpiqet nga mëngjesi deri në darkë ti shpëtojë ata, vazhdon të ushtrohet presion i jashtëzakonshëm për të ndalur sabotuar apo abortuar hetimet ndaj Saimir Tahirit. Vazhdon të ushtrohet presion i jashtëzakonshëm për të mos nisur hetimin ndaj Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Damian Gjiknurit të faktuar në lidhje kriminale në shërbim të interesave pasurore ose të pushtetit në shërbimit të shkëmbimit me shitblerjen e votave në zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale. Vazhdojnë të sabotohen hetime kyçe për të vënë përpara përgjegjësisë njerëz në nivelet më të larta të pushtetit jo vetëm ministra dhe deputetë por dhe drejtorë të rëndësishëm të administratës duke nisur që nga vetë kryeministria. Kjo për një arsye të vetme, problem numër një i vendit është autokracia, i gjithë pushteti në dorë të Edi Ramës në mënyrë që jashtëligjshme dhe jashtë institucionale Edi Rama sot kontrollon qeverinë parlamentin segmente kryesore të gjyqësorit, median dhe ekonominë ky është dhe problem numër një. Asnjë vend nuk mund të futet në Evropë duke pasur në vend një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse një sundim oriental i inkriminuar i korruptuar. Kjo është dhe detyra kryesore e opozitës parlamentare jo vetëm të denoncoje dhe të shpalle të vërtetat e aferave kriminale dhe korruptive siç kemi bërë e di të vazhdojmë të bëjmë ditë për ditë por po kështu I tregojmë shumicës dërmuese të shqiptarëve rrugën se si 3 milion shqiptarë nuk mund e nuk duhet e nuk do të mbeten peng i 10 qeveritarëve kriminelëve dhe oligarkëve të korruptuar. Nuk mund të ketë vlerësim pozitiv për kriterin e parë dhe kryesor të integrimit të vendit që është lufta kundër krimit dhe drogës pa arrestuar dhe pa vënë para drejtësisë Saimir Tahirin, pa nisur hetimet pa thelluar hetimet dhe pa vene para drejtësisë kryebashkiakët e korruptuar e lidhur me krimin dhe ministrat e tjerë të korruptuar e të lidhur me krimin. Nuk mund të fshihet Edi Rama siç u përpoq të fshihej para dy orësh mbrapa Alket Hysenit. Alket Hyseni duhet të hetohet për aferën e tjetërsimit të mijëra metrave katrorë në bregdet por është Edi Rama ai që ka firmosur një leje të kundërligjshme ndërtimi mbi këtë truall, jo vetëm të kundërligjshme por në thyerje të vendimi të gjykatës pezullon çdo akt të mëtejshëm. Ky është shteti me standarde të dyfishta. Një kryebashkiak arrestohet ndonëse ndodhet vetëm 20 metra larg gjykatës dhe ka pranuar dhe pranon bashkëpunimin e plotë për atë çka akuzohet. Ne jemi për zbatimin e plotë të ligjit dhe barazi para ligjit të kujtdo nga qytetarët e thjeshtë deri tek politikanët e pushtetshëm, kjo është arsye pse ne i kërkojmë drejtësisë të bëjë punën e saj të pavarur e të pandikuar nga agjenda politike e ne veçanti nga agjenda e Edi Ramës një agjendë kriminale e korruptive. Në funksion të kësaj agjende Edi Rama ka gënjyer Bashkimin Evropian në selinë e tij në Bruksel ku u shpreh se si rezultat i vetingut janë larguar 17 gjyqtarë dhe prokurorë. Pas informacionit të marrë zyrtarisht nga opozita rezulton se vetëm 6 kanë dhënë dorëheqjen apo janë larguar si rezultat i procesit të vetingut, të tjerët kanë dalë në pension apo i ka mbaruar mandati. Ky është shqetësimi ynë i dytë kryesor moszbatimi i reformës në drejtësi, kapja e drejtësisë dhe përdorja e drejtësisë si mburojë e aferave kriminale dhe korruptive në të cilat është zhytur kjo qeveri.

Zbatimi i reformës në drejtësi është një tjetër kyç i anëtarësimit të vendit ne BE. Ne votuam unanimisht paketën kushtetuese që është thelbi i reformës në drejtësi. Ne duam që reforma në drejtësi të zbatohet ashtu siç është votuar. Jemi kundër kapjes të prokurorisë, emërimit pa vetimg të prokurores së përgjithshme dhe prokurorëve të tjerë, shantazhimit nga mëngjesi deri në darkë të prokurorisë, nga Taulant Balla me shokë për të mbyllur dosjet e krimit dhe të korrupsionit me urdhër të Edi Ramës. Ne jemi për zbatimin e plotë dhe pa vonesa të reformës në drejtësi ashtu siç e kemi votuar ne konsensusin e 22 korrikut 2016 Kushtetutën e Shqipërisë. Edi Rama e ka të pamundur të plotësojë kriterin tjetër themelor të luftës kundër korrupsionit. Raportet e fundit e rendisin Shqipërinë mes 20 vendeve më të korruptuara të botës, arsyet shqiptarët i kanë të shkruara në lëkurën e tyre, i kanë të shkruara në tavolinat e tyre të bukës, i kanë në xhepat e tyre dhe po kaq qartë po ua thonë miqtë dhe partnerët që kanë për detyrë të na ndihmojnë e te monitorojnë luftën kundër korrupsionit. Dëgjuat nga FMN-ja tha fare qartë atë që është shqetësimi im kryesor, nga faza e kultivimit të kanabisit duke kaluar ne fazën e heroinës dhe kokainës dhe tani po kalojmë në fazën e pastrimit të parave të pista, 3 P-ve të famshme, 1 miliard eurove që nuk është gjë tjetër veçse një skemë mashtruese prapa të cilës fshihet projekti kriminal i pastrimit të parave të pista të drogës dhe të krimit. Kjo është faza me e avancuar e sundimit kriminal në vend sepse ndikon drejtpërdrejt tek ekonomia shqiptare. Sot Shqipëria nuk prodhon nuk rinovon nuk ka teknologji të re nuk konkurron as brenda vendit as me rajonin dhe jo më tej. Si mund të konkurrohet në një ekonomi ku me një kontejner bananesh fiton 180 milionë euro.
Monika Kryemadhi: Opozita në rrugë pa kthim për rrëzimin e Ramës

Unë do të qëndroj shumë shkurt se vijën politike të organizimit dhe bashkëpunimit të opozitës së bashkuar tashmë kryetari Basha e bëri të qartë. Ajo çka dua të them në emër të deputetëve të LSI është që bashkëpunimi ynë do jetë pa ekuivokë dhe pa dilema, ku ka në qendër përballjen me qeverinë e krimit. Ne si opozitë do të veprojmë të bashkuar dhe do të jemi kompakt në qëndrimet tona për çështjet më thelbësore që kanë të bëjnë me situatën ne vend. Bashkëpunimin tonë duhet ta shtrijmë që nga grupet parlamentare dhe në nivel lokal me bazën me qytetarët për të përfshirë dhe bërë të mundur çinstalimin e kësaj diktature kriminale që po instalon çdo ditë dhe më shumë Edi Rama me falangat e rilindjes së tij. Denoncimet e përditshme t’i vazhdojmë çdo ditë dhe pa pushim, jo vetëm ne si deputetë, por me gjithë strukturat tona kudo që janë në të gjithë Shqipërinë, në komuna, fshatra, qytete, në shkolla për shitjen e drogës që bëhet nga mësuesit të cilët në vend të që të edukojnë fëmijët tanë janë kthyer në spaçatorë të krimit të organizuar. Në institucione dhe spitale ku ne çdo ditë dhe më shumë shikojmë sjelljen e mjerueshme ndaj pacientëve dhe kudo në çdo infrastrukturë apo zyrë të shtetit të cilët janë kthyer në shërbëtorë të krimit të organizuar. Ky denoncim nuk duhet ndaluar dhe rakordim jo vetëm i strukturave tona, por dhe rakordim me qytetarët është një nga pikat kryesore. Aksionin opozitar ta kemi të përditshëm, të organizohemi që të bllokojmë me çdo mjet dhe mënyrë demokratike institucionet që po bllokojnë zbatimin e reformave dhe që janë të implikuara në trafiqet dhe pazaret e krimit të organizuar. Ne mendojmë që nuk ka më kthim pas në rrugën tonë, që nuk do njohë më pengesa për sa i përket narkoqeverisë dhe as falangave të krimit të tij që kanë zaptuar çdo pjesë dhe çdo institucion. Dua të them që ata që menduan se mitingu i 27 Janarit ishte finalja e aksionit opozitar kanë menduar komplet gabim. Ai miting ishte fillimi i një rruge që s’ka kthim pas. Aty ka nisur beteja jonë me qeverinë e Edi Ramës, me qeverinë e narkoshtetit dhe kjo qeveri e krimit nuk mund të mbajë peng as shqiptarët, as politikën shqiptare dhe as të ardhmen e brezave të shqiptarëve përsa i përket çështjes së integrimit evropian. Forca jonë nuk jemi ne këtu, por forca jonë janë qytetarët, janë mbi 1 milion shqiptarë që na votojnë të gjithëve ne së bashku, janë dhe 1 milion shqiptarë të tjerë, të cilët duan të kthehen në Shqipëri dhe duan t’i japin dërrmën një orë e më parë Edi Ramës. Prandaj dhe nga kjo ditë e sotshme, ashtu siç jemi rakorduar dhe me z.Basha, kjo opozitë e bashkuar tashmë do të ketë dhe mbledhjet e saj periodike për sa i përket opozitës dhe aksionit të saj në Parlament, jo vetëm në komisione dhe përgatitjen e ligjeve apo dhe në përgatitjen e relatorëve nga grupet parlamentare, por dhe në kthimin e një institucioni politik, i cili nuk ka më ndalim, deri në largimin përfundimtar të Edi Ramës, i cili nuk është gjë tjetër vetëm gjeneratori që mban me energji krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. 
Sigal