PD kundër: Rritja e çmimit të ujit, aferë korruptive, qytetarët të ngrihen

571
Këshilltarët e djathtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës kundërshtojnë rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 44%. Kreu i këshilltarëve të PD, Leonard Olli u shpreh pas një mbledhje të zhvilluar në selinë blu, se rritja e çmimit të ujit është një aferë e pastër korruptive. “Rritja e tarifës së ujit është një vjedhje, sërish një vjedhje e qytetarëve të Tiranës. Një abuzim i pastër me rritjen e ujit dhe kjo nuk justifikohet”, u shpreh Olli.

Ai i bëri thirrje qytetarëve të Tiranës dhe përfaqësuesve të biznesit të ngrihen dhe të protestojnë. “Thirrje qytetarëve të ngrihen për të pasur njëherë ujë, pastaj për të rritur çmimin. Shpresoj që do kemi mbështetjen e qytetarëve, thirrjeve subjekteve politike t’i thonë jo rritjes së tarifës së ujit të pijshëm nga strukturat e vjedhjes që po ngre Erion Veliaj”, tha kreu i këshilltarëve të PD, Leonard Olli. Ai paralajmëroi gjithashtu rezistencë në mbledhjen e nesërme të këshillit bashkiak, për të pamundësuar miratimin e projektvendimit. “Bojkoti nuk është një zgjidhje. Ne do bëjmë betejën tonë në këshillin bashkiak. Do paraqesim argumentet tona pse kemi të bëjmë me një vjedhje. Qytetarë e Tiranës të bashkohen rreth një të drejte të tyre legjitime dhe kushtetuese për t’u furnizuar dhe pasur ujë të pijshëm. Kjo është një betejë jo thjeshtë e këshilltarëve, ne jemi në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Tiranës. Do kemi të gjithë mbështetjen. Ju bëj apel këshilltarëve të PS e forcave të tjera, që të reflektojnë në dobi dhe interes të qytetarëve e jo kryemafiozit Veliaj”, tha Olli. 
Sigal