PD kërkon reformë zgjedhore e territoriale: Më pak deputetë, më shumë bashki

589
Demokratët hartojnë strategjinë e re politike. Kusht primar mbetet votimi e numërimi elektronik. Synohet edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor
Partia Demokratike do të kërkojë zyrtarisht nisjen e punës së Kuvendit për realizimin e reformës zgjedhore, ndërsa bashkë me të do të synohet edhe rindarja territoriale e vendit. Prej ditës së hënë, demokratët do të depozitojnë në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni të përbashkët për reformën zgjedhore, një nga pikat e marrëveshjes së famshme Rama-Basha të 18 majit. E njëjta marrëveshje parashikon edhe një reformë kushtetuese, ndërsa partia kryesore e opozitës duket e fokusuar në një synim të saj për të rrëzuar ndarjen territoriale të realizuar nga mazhoranca e majtë në vitin 2014. Në paketën e kërkesave të PD-së, të lidhura me zgjedhjet, nuk do të mungojë edhe kërkesa për votimin dhe numërimin elektronik. “Reforma zgjedhore do të jetë fokusi kryesor i PD dhe grupit parlamentar. Menjëherë do bëjmë kërkesën për ngritjen e një komisioni ‘ad hock’ për reformën zgjedhore, një komision i cili ndër të tjera do të ketë si pikë kryesore apo të rëndësishme votimin dhe numërimin elektronik”, tha dje nënkryetari demokrat i Kuvendit, Edi Paloka. 

Ndërkohë burime nga Partia Demokratike bënë të ditur se ekspertët po përpunojnë një paketë propozimesh për t’u dorëzuar edhe zyrtarisht në komisionet e përbashkëta që do të ngrihen nga Kuvendi. Të udhëhequr nga deputeti Oerd Bylykbashi, ekspertët demokratë pritet të fokusohen në propozime për ndryshimin e sistemit zgjedhor, mënyrës së votimit dhe ndarjes territoriale. Kushti i panegociueshëm pritet të mbetet votimi dhe numërimi elektronik, që sipas demokratëve, do të zgjidhë një pjesë të pretendimeve të tyre për manipulimin e zgjedhjeve. Megjithatë pjesa më interesante mbetet reforma zgjedhore dhe ajo territoriale. Një ndër variantet që po diskutohet në selinë blu është ai i pakësimit të numrit të deputetëve në Parlament midis 100 dhe 120. Numri aktual prej 140 deputetësh vlerësohet si shumë i madh për një vend të vogël si Shqipëria, ku numri i votuesve është rreth 1,7 milion në çdo zgjedhje vendore apo të përgjithshme. Pakësimi i numrit të vendeve në Kuvend pritet të shoqërohet edhe me një ndryshim të sistemit zgjedhor, ku rikthimi te mazhoritari mbetet një ndër projektet më të besueshëm. Megjithatë, në diskutim janë edhe variante të tjerë që do të shmangnin sistemin aktual proporcional rajonal. 

Një drejtim tjetër i propozimeve të selisë blu dhe që duket më emergjent është ai për ndarjen territoriale. Sipas demokratëve, ata janë fuqimisht kundër variantit të miratuar në vitin 2014 nga PS dhe LSI për të ulur numrin e bashkive në 61 dhe për të eliminuar komunat. Ekspertët demokratë, sipas burimeve, besojnë se një numër kaq i vogël bashkish i bënë ato më të mëdha dhe i largon qytetarët nga dhënia e shërbimeve. Partia Demokratike pritet të propozojë një numër prej 100 bashkish, një variant ky që duket i vështirë për të gjetur mbështetjen e socialistëve. Riformatimi i ri i bashkive mund të përkojë, në këtë variant, me atë të zonave për zgjedhjen e deputetëve. Demokratët edhe publikisht kanë deklaruar se harta territoriale ishte vetëm për qëllime elektorale dhe ishte vetëm një instrument për të fituar zgjedhjet lokale e veçanërisht ato të përgjithshme. Në analizën e bërë nga demokratët, rezultati i tyre në bashkitë e zotëruara nga opozita ka qenë fitues edhe në zgjedhjet e 25 qershorit 2017. 

Në strategjitë e opozitës, krahas kërkesës për komisione të posaçme parlamentare dhe ndryshimeve në Kuvend nëpërmjet konsensusit me mazhorancën, duket se do të përfshihet edhe mundësia e organizimit të referendumit. Një mekanizëm ky që mund të përdoret edhe si mjet presioni ndaj shumicës për të pranuar pikat e selisë blu. 
Marrëveshja Rama-Basha
REFORMAT
1 – Reforma Kushtetuese (me fillimin e legjislaturës së re).
2 – Reforma zgjedhore (me fillimin e legjislaturës së re).
3 – Futja e teknologjive elektronike në procesin e identifikimit votimit dhe numërimit për zgjedhjet pasuese.
4 – Reformim tërësor i sistemit të prokurimeve publike dhe auditimit të shpenzimeve publike.
Kërkesat
1 – Votim dhe numërim elektronik
2 – Ribërje e ndarjes territorial administrative (shtim i numrit të bashkive)
3 – Pakësim i numrit të deputetëve
4 – Ndryshim i sistemit zgjedhor
Kokëdhima: 2 pika për reformën zgjedhore
Ish-deputeti socialist, Koço Kokëdhima, vlerësoi nisjen nga Partia Demokratike të punës për reformën zgjedhore, duke kërkuar edhe përfshirjen e dy pikave shtesë. “Administrata zgjedhore nuk mund të jetë më partiake. Ajo duhet të jetë e depolitizuar. Dy – tri parti nuk mund të administrojnë zgjedhjet ku garojnë edhe shumë parti të tjera. Jo më me zgjedhjet e Rilindjes dhe PD-së. Jo më me komisionerë të caktuar nga partitë për të shqyer votat”, theksoi Kokëdhima. Sipas tij, pa reformë të partive politike nuk mund të ketë reformë të besueshme zgjedhore. “Të hiqet me ligj monopoli që kanë kryetarët e partive për të caktuar kandidatët në zgjedhje. Nga ky monopol i fëlliqur e pësuan vetë kësaj radhe edhe mjaft eksponentë të rëndësishëm të PD-së dhe të PS-së. Reforma e ardhshme t’u presë financimet partive politike që nuk do t’i caktojnë kandidatët për deputetë, kryetarë dhe këshilltarë bashkie me zgjedhje primare nga populli dhe përmes një procesi të garantuar me ligj”, tha Kokëdhima.
Basha: Fadromat shembën kullën e Prek Calit
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi dje se “fadromat në kullën e Prek Calit goditën simbolin e kryengritjes së Kelmendit, revoltës së parë antikomuniste te Evropës”. “Ato mure në kullën e Calëve u ndërtuan falë donacioneve të shqiptarëve patriotë të Amerikës. Qeveria duhej ta legalizonte restaurimin për atë çka Kulla e Prek Calit përfaqëson për Kelmendin, Malësinë dhe gjithë Shqipërinë. Por Edi Rama nuk mund ta durojë nderimin e një prijësi legjendar anti-komunist si Prek Cali. Se kur kthen pinjollët e Byrosë dhe xhelatët e diktaturës në krye të vendit, të tremb kujtimi dhe hija e Prek Calit”, tha Basha. Sipas tij, veprimi i djeshëm i shembjes së mureve “është një akt urrejtjeje, por edhe dobësie”. “Kelmendasit, malësorët dhe mbarë shqiptarët patriotë do t’ia japin përgjigjen pjellës së keqe”, tha kreu demokrat.
Sigal