PD kërkesë Kuvendit: Përjashtoni për 10 ditë deputetin Pjerin Ndreu. Maxhoranca refuzon

519
Partia Demokratike i ka dorëzuar sot një kërkesë Byrose dhe kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, ku i kërkon përjashtimin me 10 ditë nga seancat plenare të deputetit Pjerin Ndreu.
Ky i fundit u përfshi në një debat dhe lumë akuzash pasi emri i vëllait të tij, Paulin Ndreu, u akuzua se pajisi me leje drejtimi për mjetet e lundrimit ish-ministrit e Brendshëm Saimir Tahiri. Kërkesa, e siguruar iu dorëzua Byrosë së Kuvendit, që të merret kjo masë disiplinore ndaj deputetit.
Fill pas këtyre akuzave, Ndreu u përfshi në një debat të ashpër dhe me deputetin e PD-së Ervin Salianj, ku ky i fundit pretendoi se socialisti e kërcënoi. Por në mbledhjen e mbajtur sot, maxhoranca refuzoi kërkesën, ndërsa kryetari i Kuvendit theksoi se debati ka ndodhur në komision. Sipas tij masat disiplinore nuk përfshijnë debatet apo përplasjet që ndodhin në komisione. “Kjo mbledhje nuk munda ta shqyrtojë këtë rast sepse byroja nuk jep ndëshkime kur njerëzit shahen e fyhen ne komision. Ka parashikime veç për seancat plenare”, tha Ruçi.
KERKESA E PD
Drejtuar: Byrosë së Kuvendit të Shqipërisë
Zotit Gramoz Ruçi
Kryetar i Kuvendit
Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Sigurisë të datës 07.11.2017, deputeti Pjerin Ndreu, pa shkak dhe në mënyrë të paprecedentë, ka bërë thirrje për përdorim dhune, si dhe ka fyer e kërcënuar me përdorimin e dhunës, deputetin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Z.Ervin Salianji, duke provokuar edhe rrëmujë në mbledhjen që pengoi zhvillimin e saj të rregullt. Sipas neneit 62 të Rregullores së Kuvendit, anëtarët e Kuvendit nuk duhet të përdorin gjuhë ofenduese dhe joparlamentare në Kuvend, të ndërmarrin sulme personale apo veprime ndaj ndonjë deputeti, apo të sillen në mënyrë të padenjë ose të shkaktojnë rrëmujë në mjediset e Kuvendit.
Thirrja për përdorim dhune, apo fyerje dhe kërcënimi ndaj një deputeti duke përdorur gjuhë ofenduese dhe joparlamentare që cënojnë rëndë personalitetin e deputetit, përbën shkelje disiplinore, në kuptim të pikës 2 dhe 3 të nenit 65 të Rregullores së Kuvendit. Për pasojë, sjellja e deputetit Pjerin Ndreu bie ndesh me nenin 62 të Rregullores së Kuvendit dhe në përputhje me pikëm 2 dhe 3 të nenit 65 të Rregullores, kërkojmë marrjen e masave disiplinore “Ndalim për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancën plenare për 10 ditë” ndaj deputetit Pjerin Ndreu.
Fakti i kryerjes së kësaj shkelje disiplinore është pranuar edhe nga vetë deputeti Pjerin Ndreu, i cili në një komunikim publik në rrjetet sociale shprehet se: “Në lidhje me një konferencë për shtyp të Salianjit të PD që gjoja e paskam kërcënuar! E para nuk kam kërcënuar askënd por po bënim shkak me kolegun Stërkaj dhe Salinaji menjëherë e merr seriozisht!…” Pra, pranohet ekzistenca e faktit të kërcënimit, por sipas tij, motivit ka qenë “të bëjmë shaka”!
Në përputhje me pikën 2 të nenit 65, kërkojmë mbledhjen e Byrosë së Kuvendit jo më vonë se 48 orë, për marrjen në shqyrtim të kësaj kërkese, si dhe ndalimin për 10 ditë të pjesëmarrjes së deputetit Pjerin Ndreu në seancat plenare dhe Komisione Parlamentare.


Sigal