PD: Ja shkeljet e Kushtetutës në parlament, letra e Callavera-s dhe dallaverja e Ramës

443
Deputeti Bylykbashi, për seancën Vetting-ut
– ONM nuk është ORMN (Ofiçina e Riparimit të Mjeteve të Ndërtimit) e kohës së socializmit, ndaj nuk mund të riparojë atë që nuk e thotë kushtetuta 
Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi ka bërë një koment të gjatë mbi atë që ndodhi në parlament mbrëmjen e së hënës. Sipas tij kjo seancë shënoi një sërë shkeljesh të Kushtetutës. Bylykbashki, ish-bashkëkryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi thotë, se procesi i Vettingut ka hyrë në rrugën e dështimit për shkak të shkeljeve të njëpasnjëshme. Ai nuk lë jashtë kësaj rrëmuje edhe kryesuesen e ONM-së, Callavera ndërsa akuzon kryeministrin Rama për shkelje të Kushtetutës të miratuar me konsensus. Më poshtë shpjegimi i plotë i Bylykbashit. 
Letra e Callavera-s, dallaverja e Ramës dhe kronika e një rrëmuje të paralajmëruar! 
Vettingu ngeci vetë, u ngatërrua me këmbët e veta, pa asnjë ndikim të Çadrës së Opozitës dhe as çadrat e Vettingut nuk i bënë derman. Sot Parlamenti pranoi që tentativa e parë e Vettingut të Ramës dështoi. Kushtetuta kërkon të zgjidhen kandidatët por me 21 kandidatë për 27 poste nuk është zgjedhje por emërim. Madje mbeteshin 6 vende bosh. Na doli një letër e znj. Callavera që vendosi caqe të reja në doktrinën kushtetuese. Sipas saj, 21 kandidatët mjaftonin, sepse procesi mund të bëhej me dy faza. Së pari, kishte identifikuar 79 kandidatë që Avokati i Popullit i kishte skualifikuar me të drejtë se nuk kishin dokumentacionin, por ia vlenin gjithsesi të rikonsideroheshin nga Parlamenti. Me gjithë respektin, por në cilën kushtetutë i gjetën këto çudira që vetëm me kushtetutën shqiptare nuk puthen?! Një shpjegim kisha për ONM: mekanizmi i përzgjedhjes nga komisionet ad hoc, hartimi i një listë të vetme dhe votimi apo rrëzimi i saj me votim në bllok, jo me kandidatura të veçanta, është mekanizëm që garanton e që synon të garantojë parimin e paragrafit të famshëm 88 të Komisionit të Venecias. Nuk i vë faj, se nuk kanë qenë aty gjatë negocimit. ONM nuk është ORMN (Ofiçina e Riparimit të Mjeteve të Ndërtimit) e kohës së socializmit, ndaj nuk mund të riparojë atë që nuk e thotë kushtetuta. Ka një fakt: 21 kandidatët, nuk mjaftojnë. Për 27 poste duhet së paku dyfishi i kandidatëve. Kaq mjafton që ONM ta quante procesin të dështuar. Së dyti, as znj. Callavera dhe as Kuvendi nuk kanë të drejtë të sajojnë dy faza, kur Kushtetuta e thotë qartë, që lista e 27 kandidatëve votohet një e vetme në bllok. Pra nuk kanë të drejtë të sajojnë me një shkresë, sado sopra-sovranitet të ketë vula, një dispozitë kushtetuese që nuk ekziston. Së treti, znj. Callavera apo Kuvendi nuk mund të rivendosin në afat kandidatët që nuk i sollën dokumentet e kërkuara nga ligji kur duhej. Të gjitha këto sugjerime bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjin. 

Po dallaverja e Ramës nuk ndalon. 
Jo vetëm që donte të mbaronte punë me 21 kandidatët siç e këshillonte letra e Callaverës, por deshi të emëronte edhe opozitën. PDIU do bënte opozitën! Por kjo çoraphane nuk mbaron. Kuvendi sot, me një vendim, ia ridërgon kandidaturat Avokatit të Popullit, i cili duhet të hapë proces të ri kandidimi që ka afat 7 ditë.

Së pari, kur procesi dështon, Kushtetuta kërkon që të rinisë nga fillimi dhe organi kushtetues kompetent është Presidenti i Republikës, dhe vetëm kur ai nuk e përmbush brenda afatit, procesi kalon tek Avokati i Popullit. Dhe kjo është shkelja e parë kushtetuese.

Së dyti, në cilin nen të Kushtetutës apo të ligjit e gjetën afatin 7 ditor dhe procedurën që do kryhet? Nuk ka asnjë afat të tillë. Parlamenti duhej të miratonte një amendament në ligjin e Vettingut së paku, ku ose të vendoseshin afate të reja, ose të referoheshin afatet e normale për këtë fazë të jashtëzakonshme. Me vendosjen e këtij afati, Kuvendi ka shkelur Kushtetutën sepse duheshin 84 vota për ndryshim në ligj.

Së treti, Kuvendi po vendos kandidatët në kushte pabarazie. Disa kandidatë që konkurruan me parë e tani mund të plotësojnë dosjen kanë pasur, 15 ditë plus 7 ditë me afatin e ri, pra 21 ditë, ndërsa të tjerët që kandidojnë rishtazi do të kenë vetëm 7 ditë. S’ka asnjë çudi që këta do skualifikohen, se ustallarët e kanë ndarë mendjen.

Ua patëm thënë që në fillim: po e bëni lëmsh sistemin e drejtësisë e do t’ju dështojë! Ua tha edhe Komisioni i Venecias, po pse donin të dinin këta?! Vettingu apo Vittingu siç i thonë në dialekt. Aq shumë ia kanë bombarduar kokën shqiptarëve me këtë Vettingun që votuan me votën e Prengës dhe të inkriminuarve të tjerë, saqë pas ca kohësh, nuk është çudi që do të dëgjojmë plakat të mallkojnë: “Të zëntë Vettingu!?
Sigal