PD-ja: “Mungesa e transparencës nga qeveria për Crown Agent”

385
Sigal

Qeveria duke i dhënë kontrollin e doganës një kompanie të huaj, e favorizon atë nga të gjitha taksat për fitimet

 Ish- zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, edhe një herë ka akuzuar qeverinë se nuk ka aspak transparencë në përcaktimin e Crown Agent për të kontrolluar doganat në Shqipëri. Sipas Rushaj, Qeveria ka dërguar para pak ditësh në Kuvend këtë dokument që është i pjesshëm për atë që përmban. Ne kemi kërkuar disa herë transparencën por deputetëve u paraqitet ky dokument i cunguar duke u fshehur transparencën, për shumë elementë të kontratës. Kjo kontratë e paraqitur në formën e një projektligji përmban disa fakte që opinioni publik do të duhet t’i vlerësojnë nëse janë transparente dhe në dobi të tij. E fillojmë me pagesën. Crown Agent do të paguhet çdo vit 4.5 milionë euro nga paratë e shqiptarëve. Do t’i paguhet kësaj kompanie më shumë se 13 milionë euro për 3 vite. Po për të bërë çfarë? Për të bërë atë që administrata doganore thotë këto ditë që e bëjnë më së miri. Por kjo nuk mbaron këtu. Do të na duhet që nga paratë që po marrim borxh, jo vetëm që do të paguajmë këtë kompani Crown Agent, por t’i paguajmë atyre shtesë edhe 400 mijë euro për të blerë makina me sirena që do t’i përdorin brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Do të na duhet që të bëjmë edhe gjëra të tjera. Republika e Shqipërisë ka firmosur shumë marrëveshje me shumë kompani të mirënjohura në botë. Ka firmosur jo vetëm marrëveshje konsulence, siç është rasti konkret që janë marrëveshje rutinë, por ka firmosur edhe marrëveshje që kanë sjellë miliardë dollarë të investuara, dhjetëra mijë vende pune, kanë sjellë mundësi që Shqipëria të kthehet në nyje strategjike për rajonin. Sidoqoftë, këto kompani shumë të mirënjohura që veprojnë në Shqipëri, vendase apo të huaja, kanë paguar tatim-fitimet, kanë paguar disidentet kur ka qenë rasti, kanë paguar tatimin mbi të ardhurat personale, kanë paguar taksat vendore sipas ligjit. Po çfarë kemi në këtë kontratë? Në këtë kontratë qeveria i ka dhënë të drejtën kësaj kompanie që të mos paguajë tatim-fitimin, i ka dhënë të drejtën që të mos paguajë TVSH-në, i ka dhënë të drejtën që të mos paguajë taksat vendore, i ka dhënë të drejtë të mos paguajë tatimin mbi dividendin. Vazhdojmë më tutje. I ka dhënë të drejtën me kontratë që të mos paguajë asnjë taksë përfshirë edhe akcizën, edhe taksat dhe tarifat e tjera që mund të jenë të ngjashme. Por nuk ndalohet këtu. Kompania është treguar e kujdesshme por edhe qeveria ka pranuar që punonjësit e Crown Agent të mos paguajnë tatim mbi të ardhurat personale, të mos paguajnë asgjë për ato që sjellin në Republikën e Shqipërisë. Me këtë mënyrë sjellje, jo vetëm që kjo kompani favorizohet në mënyrë të paprecedentë, por jemi të bindur se e vendosin vendin tonë dhe qeverisë e Republikës së Shqipërisë në një pozitë shumë të vështirë përballë kompanive të tjera që kanë investuar dhe investojnë miliarda dollarë në vendin tonë. Fakti që kjo kontratë është e shtrenjtë nuk e themi ne.  Ne i kërkojmë qeverisë të dorëzojë dokumentet e munguara të këtij dokumenti, të dorëzojnë shtojcat e munguara të këtij dokumenti që nuk i ka dorëzuar në Kuvend.

 PD akuzon qeverinë “Rama” për krijimin e një rrjeti nepotik

Partia Demokratike ka vazhduar akuzat ndaj qeverisë Rama për krijimin e një rrjeti nepotik në administratë. “Punësimi i më të aftëve është një nga premtimet e rëna të qeverisë”, ka deklaruar zëdhënësja Silvi Bardhi, e cila iu kundërpërgjigj drejtores së Doganave, Elisa Spiropali.

Deklarata e plotë e koordinatores për media, Silvi Bardhi:

Kunatat e Doganës së Tiranës kanë nevojë të punojnë të qeta, dhe të jenë të mbrojtura. Për këtë ka menduar qeveria, duke dërguar tezen e deputetes Olta Xhaçka si drejtoreshë të auditit. Spiropali tha dje se, kunata e Ilir Beqës dhe e Ilirian Celibashit paskan qenë në sistem.  Spiropali, e cila duhet përgëzuar për kurajën, tha dje se, ndryshe nga sa ka akuzuar Partia Socialiste, qeverisja e partisë demokratike nuk i paska larguar kunatat nga puna. Spiropali i ka gjetur në sistem, thjesht i ka sjellë nga rrethet në Tiranë, që të jenë më afër qeverisë. Ndërkohë që nuk mohoi emërimin e kunatës tjetër, pra motrën e zëvendësministrit të mbrojtjes. Rrjeti nepotik po kthehet në sytë e publikut si një nga premtimet e rëna të kësaj qeverie, si një nga zhbërjet e saj.  A ju kujtohen thirrjet e Ramës dhe të tijve, për dërgim të CV-ve apo për mundësi për më të zotët?  E gjitha, retorikë boshe, këto thirrje paskan qenë për kunatat e qeverisë

Spiropali reagon: “Mashtrojnë, duke mohuar faktet”

Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali ka reaguar në lidhje me akuzat e ish-zv/ministrit të Financave Alfred Rushaj, për të quajtur mashtrim deklaratat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave se shifrat e të ardhurave për muajin tetor ishin në masën 105%, duke ju përgjigjur atij se konferencat e rreme nuk mund të mbulojnë turpin e shkatërrimit të doganave 9 muajt e vitit ’13. Drejtoresha e doganave Spiropali shkruan se: “I katandisën doganat në hane dhe vazhdojnë mashtrojnë hapur duke mohuar faktet. Tetor 2013, është muaji i tretë më i mirë në historikun e doganave”.Më tej Spiropali shkruan se: “Konferencat e rreme nuk mund të mbulojnë turpin e shkatërrimit të doganave 9 muajt e vitit ’13. Zoti i dhëntë forcë opozitës të gjejë veten”.

 Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali ka thënë se për vetëm 31 ditë kanë tejkaluar planin e të ardhurave krahasuar me muajin shtator të vitit të kaluar. “Jam këtu për t’ju dhënë një lajm të mirë, pas vetëm 31 ditësh në krye të doganave. Në vetëm 31 ditë, jo vetëm kemi tejkaluar planin, por kemi kaluar ndjeshëm shifrën e muajit tetor krahasuar me realizimin e një viti më parë. Pra, Administrata Doganore realizoi planin e të ardhurave për muajin tetor 105% duke arkëtuar 13.244.199. Këtë muaj janë arkëtuar 2.8 miliardë lekë, ose rreth 28 milionë dollarë, më shumë se muaji shtator i këtij viti”, -ka deklaruar Spiropali. Më tej ajo ka shtuar: “Të mos harrojmë se situata e administratës doganore ka qenë e rënduar shumë edhe si pasojë e lëshimit të frerëve të shtetit pas qershorit 2013, me rënie të vazhdueshme të të ardhurave në dogana. Këto 2.8 miliardë lekë të arkëtuara më tepër këtë muaj, janë padyshim rezultati i parë i frymës së re në qeverisjen e vendit dhe i fillimit të rimëkëmbjes së sistemit doganor”. “E megjithatë lajmi i mirë është se nga janari realizimi i muajit tetor 2013 është gjithashtu 875 milionë lekë ( ose rreth 8.7 mln USD) më i lartë se tetori 2012”-deklaroi Spiropali.