PD: Interpelancë urgjente me ministren Gjonaj

189
Partia Demokratike iu rikthye çështjes së ekstradimit të Nezar Seiti. Deputeti Enkelejd Alibeaj tha në një deklaratë për mediat se ai u ekstradua në mënyrë të paligjshme drejt Italisë në momentin që pranoi të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë në Shqipëri. “Nezar Seitaj, financieri i bandës së Saimir Tahirit dhe Habiljave është rrëmbyer nga shteti shqiptar ditën kur pranoi të ishte bashkëpunëtor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të rrëfyer milionat e marra nga Saimir Tahiri si përfitim nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Ky është një akt më i rëndë edhe sesa vetë trafiku i drogës nga Saimir Tahiri”, deklaroi Alibeaj. Partia Demokratike ka vendosur të thërrasë në një interpelancë urgjente Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, për të cilën thotë se është përgjegjëse kryesore për ekstradimin e paligjshëm të Nezar Seitit. “Ne jemi të bindur se kjo interpelancë urgjente me Ministren e Drejtësisë do t’i shërbejë zbulimit të mëtejshëm të skemës së Edi Ramës për të mbyllur dosjen e përfshirjes së Saimir Tahirit në trafikun ndërkombëtar të drogës”, vijoi Alibeaj. PD tha se disponon provën zyrtare që provon se ministrja e Drejtësisë gënjen, kur deklaron se nuk ka qenë në dijeni se financiari i bandës Tahiri-Habilaj po hetohej në Shqipëri. Sipas ligjit shqiptar, kur një person ka një proçedim penal në Shqipëri, ekstradimin e tij është i ndaluar. “Në procesverbalin e arrestimit të financierit të drogës së Tahirit dhe Habiljave, thuhet se Nazer Seitaj u ndalua për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda më 19 Tetor 2017, pas aksionit në Babicë të Vlorës, ku u sekuestruan 4 tonë drogë. Ky proçesverbal rrëzon deklaratën e ministres së Drejtësisë se nuk e dintë që për Nazer Seitajn kishte një çështje penale në Shqipëri. Proçesverbali i policisë tregon, gjithashtu, se financieri i bandes Tahiri-Habilaj është arrestuar më 19 dhe jo më 20 tetor, siç deklaron ministri i Brendshëm, i cili vetë është pjesë kyçe e skemës së Ramës për ekstradimin e dëshmitarit të vetëm të arrestuar që mund të tregonte paratë e drogës së Saimir Tahirit”, tha deputeti demokrat.