PD: Gjykata hoqi 6 mandate këshilltarësh, Veliaj në minorancë

134
Gjykata Administrative shpalli të pavlefshëm mandatin e 6 anëtarëve të Këshillit të Bashkiak të Tiranës. Kjo u bë e ditur nga Fabian Topollaj, anëtari demokrat i këshillit bashkiak, sipas të cilit automatikisht, pas këtij vendimi, të gjitha vendimet e miratuara nga Erion Veliaj në Këshillin Bashkiak me votat e 6 anëtarëve, mandatet e të cilëve janë të pavlefshme, zhvlerësohen. “Gjykata Administrative u ka hequr mandatin 6 këshilltarëve të Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Ka deklaruar absolutisht të pavlefshëm mandatin e këshilltarëve, të cilët e kanë marrë këtë mandat si zëvendësues të këshilltarëve që janë deklaruar deputetë nga zgjedhjet e 25 qershorit. Kjo është një vendimmarrje shumë e rëndësishme e Gjykatës, e cila ka pasoja shumë të mira për qytetarët e Tiranës”, tha Topollaj. Sipas tij, kjo është një vendimmarrje, që sjellë anulimin e pothuaj të të gjithë vendimeve të Këshillit Bashkiak nga data 26 Korrik 2017 e në vijimësi dhe është një vendimmarrje që rrëzon rritjen e çmimit të ujit për qytetarët e Tiranës. “Është një vendimmarrje, që rrëzon automatikisht me dhjetëra afera korruptive të bëra nga Erion Veliaj, të kaluara në Këshillin Bashkiak të kësaj periudhe. Lajmi i mirë i anulimit të 6 mandateve të këshilltarëve bashkiakë të Partisë Socialiste, është që më në fund pavarësisht se Erion Veliaj është përpjekur dhe ka blerë deri tani 4 këshilltarë të LSI-së, lajmi i mirë është që interesat e qytetarëve të Tiranës, sot në qytetin e Tiranës në Këshillin Bashkiak janë më shumë se interesat klienteliste të Erion Veliajt”, tha Topollaj.