PD është bërë si “Autobusi i Kuçit”, të gjithë duan të jenë në… vend të parë

584
Sigal

Dje, po bisedoja me një nga zyrtarët e PD. Krejt i pakënaqur me praktikat deri mafioze që po ndiqen në këtë parti pas zgjedhjeve të Këshillit Kombëtar, ai më sugjeroi të bëhej një shkrim “demaskues”, lidhur me zgjedhjet për kryesinë e re të PD. Më tha, se brenda PD, ashtu në mënyrë te heshtur po bëhet “luftë bërrylash” mes klaneve të kupolës së vjetër e të re, mes të spostuarve e të promovuarve, mes dominuesve dhe atyre që duan të dominojnë kontrollin e drejtimit të PD. Po bëhen spastrime e katapultime emrash anonimë, me preferenca klienteliste të komanduara prej klanit dhe familjes “Berisha”. Në fakt, disa figura që ndjejnë rrezikun e spostimit nga kupola e re e partisë dhe disa ish-figura, që nuk janë përfshirë as në Këshillin Kombëtar të kësaj partie, kanë dalë në media e kanë denoncuar me “gjysmë zëri” e ashtu “si me marifet” skenarin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të kryesisë së partisë, duke deklaruar se kjo kryesi, do të përbëhet vetëm nga familja dhe klani Berisha-Basha. Sipas zyrtarit të PD, gjithë figurat e vjetra e të reja në këtë parti, janë vërsulur për të qenë në krye, në vendet e para të drejtimit të partisë. Asnjë prej tyre, sidomos prej atyre që janë në listat e spostimit nga kupola e PD, nuk duan të jenë në vendet e fundit të partisë, por vetëm në krye, në vendet e para, pranë “timonit” të partisë. Sa u tha, se do hapet gara e anëtarëve të kryesisë, të sekretarëve nënkryetarëve, ata vrapuan atje, tek dera e “kreut” të PD, në radhë për të zënë secili vendin e parë. Duke dëgjuar zyrtarin e PD, m’u kujtua një histori e njohur pothuajse proverbiale e viteve të para e të pas çlirimit të Shqipërisë, me banorët e një fshati në Vlorë, konkretisht me banorët e Kuçit. Banorët e këtij fshati, i drejtuan një letër Enver Hoxhës. I kërkonin që edhe fshati i tyre, Kuçi, të kishte një “SAT” (autobus) që të udhëtonin për në Vlorë e të mos ecnin më me mushka e gomerë! Enver Hoxha dha urdhër të çohej një autobus për kuçiotët dhe brenda javës fshati Kuç u bë me autobus. Kur do bëhej rruga e parë Kuç-Vlorë, fshatarët u vërsulën tek dera e autobusit, kush e kush të zinte vendin e parë. Ata që hipën të parët, nisën të ziheshin me fjalë, se kujt i takonte të ulej në vend të parë të autobusit. Njeri thoshte: “Më takon mua, se kam 3 dëshmorë në familje”. Tjetri thoshte: “Më takon mua, se kam qenë korrier i Hysni Kapos”. Tjetri thoshte: “Më takon mua, se në shtëpinë time është strehuar 3 muaj Mehmet Shehu”. Një tjetër thoshte: “Më takon mua, se unë shpëtova fshatin nga djegia e gjermanëve”. Secili kërkonte të zinte vëndin e parë të autobusit, duke përmendur meritat në luftë. Kur e panë, që askush nuk po tërhiqej, dikush që priste edhe ai, të zinte vendin e parë në autobus, i tha shoferit: Këtë punën e vendit të parë nuk e zgjidhim dot me fjalë, kjo zgjidhet vetëm me këtë marifet. Ta nisim autobusin për së gjëri dhe kështu ulemi të gjithë në vend të parë. Kështu, si në autobusin e Kuçit, po ndodh edhe në PD, në këtë prag zgjedhjesh me bërryla për kupolën drejtuese… në të cilën të gjithë kërkojnë të jenë në vend të parë!