PD, Duma: Raporti i DASH, këmbanë alarmi për Shqipërinë

502
Sekretarja për marrdhëniet me publikun në PD, Grida Duma, duke cituar raportin e Departamentit amerikan të Shtetit ka deklaruar se tashmë është e provuar se, korrupsioni i shtrirë kudo, në çdo degë të qeverisjes. “Ky është problemi më i madh i Shqipërisë. Ky është konkluzioni i Departamentit amerikan të Shtetit. Raporti vjetor i DASH e vë korrupsionin në krye të listës”, ka thënë Duma. 
Përfaqësuesja e partisë më të madhe të opozitës ka përmedur edhe disa raste që tregojnë sipas saj korrupsionin në masë në sektorët kyçë të vendit. “Korrupsioni i 340 milionë eurove të shëndetësisë të ndara nga Edi Rama e Ilir Beqaj me miq e klientë, ndërkohë që njerëzit po vdesin spitaleve se nuk kanë para të blejnë ilaçet. Korrupsioni i 400 milionë dollarëve që u vodhën në dogana e tatime në një vit, ndërkohë që bizneset po mbyllen se nuk paguajnë dot taksat e rritura. 
Korrupsioni i 970 milionë eurove dëme të konstatuara nga KLSH përmes tenderave të paligjshëm, me fitues të përcaktuar, ndërkohë që investitorët po ikin, po braktisin vendin. Korrupsioni që ka formën e luksit qeveritar, të vilave e sarajeve, të syzeve 60 mijë euro të Gregut, ndërkohë që 46.2 përqind e familjeve shqiptare jetojnë në varfëri me 5 dollarë në ditë, ndërkohë që 100 mijë shqiptarë kanë ikur të dëshpëruar në eksod masiv. 
Korrupsioni i aferes Rama-Cez, ku iu morën shqiptarëve 500 milionë euro, u ndanë në një pazar të pisët, ndërkohë që shumica e shqiptarëve nuk paguan dot faturën e rritur të dritave. Korrupsioni i koços që ka dorë në çdo tender, në çdo fond, në çdo licensë, në çdo pasuri. Ky pra është korrupsioni që shqiptarët ndeshin çdo ditë në jetën e tyre, që e provojnë çdo ditë në lëkurën e tyre”, ka thënë Duma. Sipas saj, raporti i Departamentit amerikan të Shtetit është një këmbanë alarmi që nuk lë hapësira për dyshime se, “korrupsioni është vendosur në krye të problemeve të Shqipërisë”. 
“Kjo është oligarkia e korrupsionit, e paralajmëruar më herët edhe nga sekretari Kerry. Oligarki që ka zgjedhur të ndjekë luksin, pasurinë dhe të varfërojë e shtypë popullin”, ka shtuar Duma.
Sigal