PD: Droga ka pushtuar vendin, Rama dhe Tahiri sërish në krahë të trafikantëve

475
Sigal

Gazeta Telegraf/ Në një
deklaratë për mediat nga selia blu, sekretari i përgjithshëm i Partisë
Demokratike, Arben Ristani akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e
Brendshëm, Saimir Tahiri, të cilët sipas tij, edhe me shifrat alarmante të
drogës në vend, vazhdojnë të qëndrojnë në krah të trafikantëve.

Deklarata e plotë e PD

Monitorimi nga ajri tregon se
sipërfaqja e mbjellë me drogë në vetëm 17% të territorit që u vrojtua, është 5
herë më e madhe se një vit më parë.

Vetëm për 17 për qind të
territorit 5 herë më shumë drogë se vjet. Po në 83 për qind të territorit që
nuk u vrojtua dot? Nuk u vrojtuan dot as brigjet e lumenjve dhe zona të tjera
përgjatë akseve kombëtare dhe qendrave urbane, ndonëse janë mbushur me drogë si
kurrë më parë.

Droga është shtrirë në gjithë
vendin dhe ka pushtuar toka edhe pranë akseve kombëtare si në Rinas, apo në
zona urbane.

Gënjeshtrat dhe mashtrimet e
Ramës dhe Tahirit kanë plasur si tullumbace.

Çdo shqiptar e di se droga ka
mbuluar vendin. Por Rama dhe Tahiri, pasi u fshehën dje pas raportit tronditës,
dolën dhe rrahën shpatullat e njëri-tjetrit.

Edhe sot, Tahiri tha se: Janë
kultivuar 30 për qind më pak drogë dhe policia ka asgjësuar 98 për qind të
sipërfaqes së mbjelle me drogë. Tahiri tha sot se beteja është e pabarabartë
dhe kjo e bëka hero Tahirin që po lufton këtë betejë të pabarabartë.

Betejë e pabarabartë, e
pabarabartë me kë? Krimi qenka mbi policinë, krimi qenka superior me shtetin?
Si pohon vetë Tahiri, duke pranuar pabarazinë me krimin.

Pikërisht këtë po themi, me forcë
çdo ditë që krimi është mbi shtetin, sepse krimi ka kapur shtetin, sepse krimi
është vetë shteti, dhe lufta me shtetin e kriminuar është sigurisht e
pabarabartë.

Gjoja Tahiri po punon shumë, por
nuk ka arritur së pari të parandalojë mbjelljen e qindra hektarëve drogë, nuk
ka arritur të kapë askënd nga bosët e drogës, me përjashtim të të pamundurve.

Karteli e ka gjetur zgjidhjen,
fajin e ka opozita. Ndërkohë, çdo ditë, nga Ura e Tapizës e deri në
Fushë-Krujë, në orët e para të mëngjesit, dhjetëra gra e fëmijë transportohen
me furgonë në malet e Krujës për të përpunuar hashashin. Nxënësit e shkollave
helmohen me drogën që është bërë e pranishme kudo.

Banditët ju presin rrugën
prokurorëve dhe policia hesht. Asnjë trafikant nuk është në pranga. Mbrëmë
policia me urdhër të Tahirit fshehu ndalimin e Qefalive me 50 kilogramë kanabis
të tharë, dhe vetëm pas denoncimit të PD, u detyrua të japin informacion.

Viktima në Shëngjergj, i vrarë me
armë zjarri, është për parcelat e drogës, dhe me më këtë rast bëhen 7 jetët e
humbura nga konfliktet për kanabisin vetëm në pak javë.

Pse e mohon deri në fund, dhe pse
e mbron deri në fund, Edi Rama, drogën dhe Tahirin?

Sepse është vetë i përfshirë. Ky
është biznesi kriminal që është ndërtuar me lejen dhe bekimin e Edi Ramës.

Karteli i drogës që ka krijuar në
vend, është arma e tij që të mbajë me çdo kusht pushtetin, të ruajë miliardat e
krimit dhe korrupsionit. Shqiptarët gjenden përballë një pushteti
narkotrafikant.

Një pushteti që synon të drogojë
mbarë vendin. Por shoqëria jonë i ka mekanizmat për ta mbrojtur veten, për ta
mbrojtur familjen, fëmijët dhe të ardhmen.

Shqiptarët do të dinë të
reagojnë. Shqipëria më mirë pa drogë. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën.