PD: Droga e Shqipërisë çështje europiane, me Edi Ramën nuk ka zgjidhje as zgjedhje

76

Gazeta Telegraf/


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë
në Samitin e PPE që u mbajt në Maastricht, Holandë. Në këtë Samit një vend të
veçantë ka zënë gjendja e jashtzakonshme e kultivimit dhe trafikut të drogës në
Shqipëri. Ky zhvillim dramatik është kthyer në një shqetësim për vendet anëtare
të Bashkimit Europian, siç u evidentua edhe në diskutimet e mbajtura në Samitin
e PPE nga perfaqesues dhe drejtues të institucioneve europiane.

Në fjalën e tij, kryetari i opozitës Basha duke shprehur
shqetësimin se te ardhurat e drogës do të përdoren, siç ndodhi në zgjedhjet e
vitit 2015 dhe në ato të Dibrës, për të blerë vota, kërkoi mbështetje për të
garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

“Për fat të keq një nga temat që dominoi në këtë samit
ishte Shqipëria, problemi i jashtëzakonshëm i drogës, i krimit dhe rrjedhojat
që kjo ka për stabilitetin, për demokracinë e Shqipërisë dhe për stabilitetin
rajonal dhe më gjerë për Europën. Në këtë kuadër jo vetëm prezantimi që unë
bëra për situatën e jashtzakonshme sa i përket kultivimit dhe narkotrafikimit
por edhe informacionet e dhëna nga personalitetet e pranishme në këtë samit, që
nga presidenti Daul, përfaqësuesit e komisionit etj, tërhoqën vëmendje të madhe
dhe u bënë subjekt i diskutimit të hollësishëm. Eshtë e qartë se ajo që qeveria
Rama përpiqet ta mbajë të fshehur, ta mohojë brenda Shqipërisë, tashmë ka
kapërcyer kufijtë e Shqipërisë është kthyer në një problem të jashtëzakonshëm
ndërkombëtar.

Prova për këtë nuk janë vetëm artikujt e njëpasnjëshëm në
mediat botërore, provë për këtë është shqetësimi i jashtzakonshëm që zuri ky
problem në Samitin e Partive Popullore Europiane. Problemi i drogës, i krimit
dhe i lidhjes së tyre me politikën janë tashmë në qendër të vëmendjes së
Bashkimit Europian. Zgjidhja e këtij problemi kërkon vullnet politik, vullnet
politik të cilin Partia Demokratike, opozita, unë, e kemi, prandaj kërkojmë
mbështetjen për të krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, Partia
Demokratike, alternativa që ne përfaqësojmë do ti japë zgjidhje përfundimtare
dhe të shpejtë këtij problemi me qëllim që të mos rrezikohen aspekte të tilla
të ndjeshme për shqiptarët siç është lëvizja e lirë. Një të drejtë që mezi e
fituam pas sakrificave dhe një pune të jashtzakonshme dhe që sot padyshim vihet
në rrezik nga karteli i drogës në bashkëpunim me qeverinë e Edi Ramës.”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shtoi se kjo
situatë është pasojë e kriminalizimit të shtetit nga Edi Rama dhe lidhjeve të
tij me trafikantët. Hashashizimi i Shqipërisë është një problem i shkaktuar, i
rritur, i nxitur, i mbrojtur dhe i mbajtur në këmbë nga bashkëpunimi me krimin,
që ishte risia që Edi Rama solli në zgjedhjet e 2013-ës, e forcoi në zgjedhjet
e 2015-ës dhe sot e ka konvertuar në mbushjen e Shqipërisë me drogë, tha zoti
Basha. Moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit lidhet me projektin e tij për
t’i përdorur kriminelët dhe trafikantët për të deformuar vullnetin e votuesve
në zgjedhjet e ardhshme theksoi kryetari i opozites.

“Ne kemi insistuar në zbatimin e ligjit të
dekriminalizimit sepse është pikërisht moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit
që mban Artur Bushin në Krujë, Elvis Roshin në Kavajë, me dhjetëra, me qindra
të inkriminuar anembanë administratës shtetërore, në Policinë e Shtetit, në
dogana, në tatime, në drejtori të ndryshme. Dhe janë këta individë me përkrahje
e mbështetje dhe mbrojtje nga Edi Rama që kanë bërë të mundur shumëfishimin e
sipërfaqes me drogë nga viti i kaluar në këtë vit dhe kthimin e Shqipërisë, siç
u përmend sot në këtë samit, në hambarin më të madh të drogës në Europë, në
Kolumbinë e Europës.

Shqetësimi padyshim ka të bëjë edhe me demokracinë, edhe
me stabilitetin. Një vend ku pista avionësh ndërtohen për narkotrafikantët dhe
përdoren nga narkotrafikantët, nesër nuk siguron dot standardet e NATO-s apo të
një vendi normal sa i përket luftës kundër terrorizmit. Kjo është një
infrastrukturë lehtësisht e konvertueshme nga në funksion të krimit të
organizuar në funksion të terrorizmit.

Situata është dramatike dhe kërkon masa dramatike. Unë
pata rastin të konfirmoj vullnetin e opozitës, të Partisë Demokratike, për t’iu
përveshur një beteje të gjithanshme, totale me kartelin e drogës që sot qeveris
Shqipërinë. Betejë e cila mund të kurorëzohet me sukses vetëm me largimin e Edi
Ramës, si parakusht për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe
fitoren e një alternative e cila në vend që të bashkëpunojë me krimin dhe me
drogën, do të shtypë krimin dhe drogën dhe do të rihapë perspektivën europiane,
zhvillimin, punësimin, punën e ndershme, të drejtën dhe lirinë e çdo shqiptari
për të punuar dhe jetuar me djersën e ballit në vendin e tij.”