“PD dhe PS nuk kanë forcë të kërkojnë zgjidhjen e Çështjes Çame institucionalisht”

513
Sigal

INTERVISTA/Tahir Muhedini, kryetar Nderi i PDUI-së: “Shteti shqiptar ka qenë gjithmonë inferior ndaj politikës greke”

Para disa ditësh, Instituti i Studimeve të Çamërisë mbajti një konferencë me temë: “Çamët në rrugën e 100- vjetorit të Pavarësisë”. Historianë të shumtë sollën në dritë fakte të panjohura deri tani për kontributin e çamëve në Pavarësinë e Shqipërisë. Erdhën, për ta nderuar këtë konferencë edhe historianë nga SHBA-ja, edhe përfaqësues nga Vishegradi, Kosova, por munguan pa asnjë shpjegim deputetët e PDUI-së, zv/ministrat çamë, madje shpërfillja shkoi deri aty, sa asnjë përshëndetje nga këta nuk u dërgua.  Domethënia është e kuptueshme. I vetmi përfaqësues politik, ishte zoti Tahir Muhedini, i cili menjëherë dha intervistën për “Telegraf”. Zoti Muhedini, pranoi që politikat shqiptare të deritanishme janë treguar inferiore përballë grekëve për Çështjen Çame, por edhe shpjegoi përse ai ulliri i mbjellë në Kllogjer, është tharë nga thatësira politike e PDUI-së.

-Zoti Muhedini, në këtë 100-vjetor, Çështja Çame është ndriçuar e vlerësuar në shkallën që meriton?

Para disa ditësh Instituti për Studimet për Çamërinë, organizoi konferencën “Çamët në rrugën e 100-vjetorit të  Pavarësisë” ku u ndriçuan kontributet, të panjohura deri më sot, e komunitetit tonë çam, në arritjen e Pavarësisë të Shqipërisë. Komuniteti çam, deri tani, është i vetmi komunitet që në 100 vjet kërkon lirinë e të drejtat që i janë mohuar. Politikat greke sistematikisht janë munduar të na zhdukin. Në këmbimin e popullsisë, Greqi-Turqi në vitet 1923-24, qeveria greke na detyroi të iknim nga trojet tona, duke na thënë, që ju jeni myslimanë, ikni në Turqi. Në 1936 qeveria greke bëri reforma shumë të forta, për të dobësuar ekonomikisht komunitetin shqiptar çam dhe në vitet 1939-1940, qeveria greke i mblodhi gjithë meshkujt e komunitetit çam dhe i internoi në Mitilini dhe Hios. Kur hynë gjermanët në Greqi, panë që në Çamëri nuk kishte asnjë mashkull. Dhe unë ju përmend një fakt që nuk thuhet nga historianët deri më sot, që është një moment mjaft i rëndësishëm i historisë, kur bashkë me të dënuarit nga grekët që u internuan në ishujt e largët, ishin edhe prindërit e mi, babai dhe gjyshi im, por ka qenë edhe një shqiptar, që kishte ardhur dhe kishte martuar motrën te fisi i Ponjave, i cili quhej Qemal Frashëri dhe kur erdhën gjermanët në ishullin Hios, i kishin rreshtuar të burgosurit dhe grekët u thonë atyre që, gjithë të burgosurit çamë janë kriminelë, vrasës. Në momentet që gjermanët donin të vrisnin të gjithë të burgosurit çamë, për shkak se grekët u thanë që janë vrasës, Qemali foli gjermanisht. Oficeri gjerman, nga e papritura, që një rob i burgosur foli gjermanisht, i dha të drejtën e fjalës. Qemal Frashëri, u tha gjermanëve, që të gjithë janë njerëz të ndershëm, nuk kanë vrarë njeri, nuk kanë bërë asgjë të keqe. Të gjitha këto që thonë grekët janë gënjeshtra. Gjermanët u bindën dhe të gjithë të burgosurit çamë u rikthyen në vendlindjen e familjet e tyre. Në 1944, ndodhi gjenocidi greke ndaj popullsisë çame greke. Por edhe politika shqiptare, për fat të keq, e pengoi komunitetin grek. Në 1949 donte t’i çonte burrat çamë të luftonin në malin e Gramozit me komunistët grekë, por ata refuzuan, sepse nuk donin të luftonin me flamurin grek, duke thënë, që jemi shqiptarë e luftojmë me flamurin shqiptar. Komunistët shqiptarë u hakmorën, duke i çuar nëpër burgje burrat çamë. Në 1953 qeveria shqiptare u hoqi shtetësinë greke, se popullsia çame kishte shtetësinë greke me kombësi shqiptare. Pas demokracisë, komuniteti çam e gjeti vetveten. U organizua në shoqatën çame dhe më vonë, u organizua edhe politikisht, ku tani ka në Kuvendin e Shqipërisë deputetët e saj. Në 1994, në parlamentin shqiptar u njoh gjenocidi grek i 1 qershorit 1944-s. Komuniteti ynë ka bërë me dije edhe institucionet europiane Çështjen Çame, ku në 1996 shkuam në Komunitetin Europian. Në 2008 shkuam në Këshillin e Europës, ku takova personalisht komisionarin për të Drejtat e Njeriut, Tomas Somerberg. Në 2009, në ditën e Gjenocidit Botëror, unë shkova në departamentin amerikan, kam dorëzuar dosjen për çështjen Çame.

– Cili ka qenë qëllimi që ju keni afruar në institucionalizimin ndërkombëtar të Çështjes Çame?

Kemi kërkuar, e para, të njihen ndërkombëtarisht gjenocidi i grekëve ndaj popullsisë çame në Greqi,  që të hedhim në gjyqin ndërkombëtar Greqinë për këtë gjenocid.

– Cili është ingranazhi parlamentar që pengon miratimin e Rezolutës për Çamërinë në Kuvendin e Shqipërisë, derisa ju politikisht jeni edhe në maxhorancë?

Unë mendoj këtë. Forcën politike që krijuam, PDI-në në 2004-ën, e krijuam vetëm përse nuk u miratua në 2004-ën në Kuvendin e Shqipërisë Rezoluta për Çamërinë. Kështu që forca politike e çamëve ka në plan të parë Rezolutën për Çamërinë, të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë. 2 deputetët e PDUI-së, Idrizi e Tahiri e kanë bërë të qartë që, kjo Rezolutë duhet të miratohet nga ky Kuvend.

– PD dhe PS, çfarë mendimi politik kanë për Rezolutën? Këto e bllokojnë? Derisa LSI-ja u shpreh se edhe ajo bashkohet me PDUI-në për miratimin në Kuvendin e Shqipërisë të Rezolutës Çame?

– Unë nuk e di ku bllokohet, por di, që në 2004-ën është turpi i Kuvendit të Shqipërisë që nuk e miratoi. Derisa zoti Idrizi pohon që, Rezoluta do të miratohet do të thotë që ai paraprakisht ka biseduar me gjithë forcat kryesore politike dhe shpresoj që këto ditë Rezoluta Çame do të hyjë në Kuvendin e Shqipërisë.

– Atëherë, a do të jetë Rezoluta peshorja e balancës së aleancës zgjedhore të PDUI- PD ose me PS-në për 2013-ën?

– Jo, ne e kemi zgjedhur aleatin dhe kemi besim që zgjedhja jonë është me PD-në, që në 2005, 2007, 2009, 2011 dhe pse jo edhe më 2013-ën me PD-në, kur gjithë suksesi i PDUI-së, deri tani, ka qenë se jemi në koalicion me PD-në.

– Pajtoheni që politikat shqiptare kanë qenë inferiore karshi politikës greke për Çështjen Çame, që nga 1945 e deri më sot?

Pa diskutim që kam këtë mendim. Shteti shqiptar ka qenë gjithmonë inferior ndaj politikës greke. PD dhe PS asnjëherë nuk kanë pasur forcë që ta kërkojnë në mënyrë institucionale zgjidhjen e Çështjes Çamë. Unë mund t’u them diçka të shkurtër. Ne jemi dëshmitarë, që kur erdhi në Shqipëri Presidenti Stefanopullos, i cili tha publikisht që për Greqinë nuk ka Çështje Çame dhe nuk ekziston Çështja Çame. Ishte Presidenti Moisiu, i cili tha: “Ka Çështje Çame dhe duhet marrë për zgjidhje. Ky ka qenë momenti i parë. Jemi dëshmitarë që Bakojanis, kur erdhi si ministre e Jashtme, për herë të parë, tha që nuk ka Çështje Çame. Në ardhjen e saj të dytë në Tiranë, tha që ne t’i drejtohemi Strasburgut, kur erdhi herën e tretë, zonja Bakojani tha që t’i drejtohemi gjykatave greke. Këto qëndrime të ndryshme të ministres së Jashtme greke, Bakojani, dëshmojnë qartazi që, politika greke e uli objektivin e saj, që nga mosekzistenca, ekziston çështja Çame, derisa na dëftoi edhe gjykatat e Strasburgut dhe ato greke. Ne mendojmë që kjo zgjidhje duhet kërkuar kolektivisht, ndërmjet dy shteteve tona dhe BE-ja e SHBA-ja të jenë prezente kur të merret për zgjidhje Çështja Çame.

– Në 2008-ën, qeveria miratoi kërkesën greke për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në tokën tonë në 1940-ën dhe nuk e kushtëzon këtë me ndërtimin e varrezave të të vrarëve të gjenocidit grek të 1944-ës? Si e shpjegoni ju që grekët kanë të drejtë të bëjnë homazhe në tokën tonë, ndaj të vrarëve të vet dhe u ndalon çamëve të bëjnë homazhe të parëve që janë varrosur në tokën e tyre në Greqi?

Keni shumë të drejtë të pyesni kështu, si kryetar i PDI-së në 2008-ën, kur ministër i Jashtëm ka qenë Lulzim Basha, sa mora vesh atë marrëveshje, kam dalë në konferencë shtypi dhe kam kundërshtuar këtë dhe kam pyetur politikën shqiptare: “Si ka mundësi të bëhen varreza imagjinare të ushtarëve grekë, duke nxjerrë eshtrat e shqiptarëve e t’i pagëzosh si eshtra të ushtarëve grekë?”. Drejtësia shqiptare ka qenë tolerante, gjithnjë, ndaj atyre që falsifikuan eshtrat e shqiptarëve e i pagëzuan si eshtra të ushtarëve grekë. Unë i kërkova më shkrim ministrit të Jashtëm, zotit Basha, që para se të bëhen varreza imagjinare të ushtarëve grekë në tokën shqiptare, të bëhen varreza të çamëve që u vranë në gjenocidin grek. Plus që i kam kërkuar më shkrim, po ministrit tonë të jashtëm, që neve na mungojnë varret e të parëve tanë, që i kemi varrosur në tokën ku lindëm, jetuam e na detyruan më gjenocid të iknim. Greku i ka zhdukur të gjitha.

– Qeveria greke, protestat tuaja në 27 e 28 tetor i cilësoi shfaqje të nacionalizmit ekstrem, ndërsa nga pala shqiptare nuk pati asnjë reagim. Kjo heshtje a nuk ndikon negativisht në çuarjen e Çështjes Çame, drejt zgjidhjes së drejtë?

Unë gjithnjë e kam thënë publikisht që, ngritja e varrezave greke në tokën tonë do të shërbejë që pas 50 vjetëve, shteti grek të thotë që, këtu ka qenë kufiri i Greqisë. Prandaj në 27 tetor erdhën grekët. Ushtarët grekë erdhën në Shqipëri në 1940 si pushtues dhe më vjen keq që PD dhe PS po e lënë në heshtje këtë problem kaq madhor.

– Nga ana tjetër, edhe ai ulliri i mbjellë në Kllogjer, në qershorin e 2012-s, në vendin ku do të ngrihen varrezat e 2960 të vdekurve çamë, është  tharë. Vallë, nga thatësira e motit, apo nga thatësira politike e harresës nga PDUI-ja?

Në fakt, ka qenë një sukses i PDUI-së, e cila arriti që të marrë një fond nga qeveria shqiptare e të ndërtojë memorial të varrezave të 2960 të vdekurve çamë nga përndjekja e gjenocidit grek të 1944-ës. Unë di që shteti shqiptar e ka nxjerrë fondin, di që është bërë edhe konkursi, është fituar ky konkurs nga një studio, tani është bërë edhe ankandi për ndërtimin e varrezave. Por se deri ku ka arritur këto momentet e fundit nuk kam marrë informacion. Këto varreza do të jenë të gatshme për vitin 2013 dhe besoj se ky afat është plotësisht i realizueshëm. Gjithashtu, mund t’ju them, që është nxjerrë edhe një fond nga qeveria shqiptare për ndërtimin e shtëpisë muze të Hoxha Tahsim dhe të Bilal Xhaferrit.

– Proceset e integrimit në Shqipëri, mos vallë pengohen se ne nuk kemi fituar edukatën e bashkëpunimit politik për hir të interesave të vendit?

Vizita e Zonjës Klinton krijoi mjaft emocione gjithë popullit shqiptar, e cila na këshilloi që mbi interesat e partive politike, duhen të vihen interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Zonja Klinton, hapur tha që, dy forcat kryesore PD dhe PS nuk po gjejnë gjuhën për të realizuar reformat e integrimit.

– A është në nderin e politikës shqiptare që edhe 100- vjetorin e Pavarësisë, ta ideologjizojnë, duke e festuar më 28 nëntor, të ndarë, një në Vlorë, e të tjetri në Tiranë?

Është turp të themi, 27 atje e 28 këtu, por të gjendet forma që kjo festë të festohet bashkë. Dhe nuk ka asgjë të keqe, që festimi të nisë në Vlorë e të përfundojë në Tiranë, se që të jemi korrekt, gjithë politika është në Tiranë, gjithë trupi diplomatik është në Tiranë, e gjithë qeveria është në Tiranë. I bie që të shkojnë të gjithë në Vlorë, mundësia nuk është që të shkojnë të gjithë atje. Kështu që unë mendoj që 100-vjetori nuk është as i Vlorës dhe as i Tiranës, është i të gjithë shqiptarëve. Figura e Ismail Qemalit nuk u vlerësua aq sa duhej vlerësuar.

– Faleminderit!