PD depoziton në Kuvend pjesën e dytë të amendamenteve për Vetting –un

489
Pas amendamenteve për 25 nenet e para të ligjit të Vetting –ut, PD ka depozituar në kuvend 28 amendamente të tjera për pjesën e mbetur të draftit që u miratua nga mazhoranca në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi. PD shpreh mosdakordësi në lidhje me procedurën e shqyrtimit të pjesës së parë të amendamenteve nga Komisioni, duke e quajtur aspak serioze punën e tij, pasi sugjerimet u rrëzuan pa argument kushtetues e ligjor nga mazhoranca.
Deputeti Arben Ristani, në emër të të cilit janë depozituar amendamentet, thotë se pjesa e parë e tyre synont etë garantonte përputhshmërinë me Kushtetutën, Komisioni e Venecias, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, rregullimin e plotë dhe të detajuar të procedurës së rivlerësimit, transparencën e procedurës së përzgjedhjes së funksionarëve të organeve të rivlerësimit dhe plotësimin e përmbajtes së projektiligjit në funksion të garantimit të parimit të sigurisë juridike dhe standardeve të shtetit të së drejtës.
Në funksion të kësaj, PD ka paraqitur edhe amendamentet për pjesën tjetër të neneve 26-67. Në dokument sqarohet se kjo pjesë e neneve të projektligjit paraqesin një sërë cështjesh që e fusin procesin e rivlerësimit në ngërc, krijojnë problematika të theksuara gjatë zbatimit të tij, pasi drafti nuk detajon aspekte të rëndësishme të procesit të rivlerësimit.
PD është shprehur se nëse ligji do të miratohet pa u marrë në konsideratë amendamentet e saj, do ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Drafti do të hidhet në votim të mërkurën, 31 gusht, në një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit.
Sigal