PD, Boçi: Rama u kërkon nxënësve të ekselencës të bashkohen me bandën e trafikantëve

16
Edi Rama i konsideron shkollat publike në vend, si organizata të partisë së tij dhe gjimnazistët si të rinj të paditur, duke ndërhyre brutalisht tek ta, me anë të letrave ku ju kërkon anëtarësim. Me këto letra shantazhuese dhe të paligjshme, siç mund ti shihni në ekran, Edi Rama ushtron presion prej kaçaku ndaj Mateos në këtë rast, apo Artemisit në këtë rastin tjetër, duke ju kërkuar një PO të shpejtë, provë e delirit të rënduar në kokën e tij, prej sundimtari dhe satrapi oriental. Shumë gjimnazistë me rezultate të shkëlqyera kanë arritur deri këtu, me mund e me djersë, duke lexuar e studiuar.
Ata kanë projektet e tyre për të ardhmen dhe janë të lirë për të bërë zgjedhje, por Edi Rama ju ka dalë para, ju ka prerë rrugën si besëprerë që është dhe ju kërkon me pahir të bëhen pjesë e organizatës së tij.
Ju kërkon nxënësve më të mire, të bashkohen me më të zinjtë e vendit. Ju kërkon të rreshtohen me Roshin e me Bushin, me Ndokën e me Peçin, me Ndonin e me Cubin, me Prengën e me Frrokun, me njerëz pra që si arritje kryesore shënojnë trafikun e drogës, trafikun e qenieve njerëzore, vrasje, grabitje dhe dhunime. Ju kërkon më të mirëve të gjimnazeve shqiptare, të bashkohen me trafikantë, banditë e vrasës të dënuar, apo të ndjekur e në ndjekje penale.
Ju kërkon ti shkojnë nga mbrapa, ky që rriti tarifat e universiteteve, pra te duartrokasin plaçkitjen e prindërve te tyre, përmes korrupsionit dhe klientelizmit që pasuron bandën në pushtet dhe varfëron popullin. Ne i bëjmë thirrje të rinjve ta hedhin në koshin më të afërt të plehrave, këtë përqeshje dhe shantazh të Edi Rames. Liria e zgjedhjes në këtë vend është arritur me gjak e sakrifica, dhe nuk mund të preket nga askush. Më të mirët e bijve dhe bijave të Shqipërisë kanë tjetër kurs, atë të vlerave më të mira shqiptare dhe europiane të meritës, konkurencës së ndershme, dhe dinjitetit individual. Këto vlera që do të lartësojnë Shqipërinë e të nesërmes janë në betejë me krimin, me korrupsionin e hajdutërinë. Ndaj dhe rruga e të rinjve shqiptarë është natyrshëm një rrugë krejt e ndryshme nga ajo e Edi Ramës.