PD: Beteja jonë, të përmbysim klikën e korruptuar dhe të inkriminuar

143

Rafineria e Ballshit është afera më e re korruptive e Edi Ramës, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takimin me drejtues të strukturave të PD në Mallakastër dhe Patos. Edi Rama dhe miqtë e tij nxjerrin miliona euro nga nafta në muaj, ndërsa naftëtarët marrin paga qesharake dhe punojnë pa minimumin e sigurisë teknike, çka u pa dhe në ngjarjen e fundit ku humbi jetën Shkëlqim Muça e shumë të tjerë mbetën të plagosur.

“Sa është fitimi i rafinerisë?! 30 milionë euro në muaj është xhiroja, minimalisht 10 milionë euro në muaj është fitimi, pjesëtojeni për 5 mijë naftëtarë. Sikur ky fitim ti shkonte i gjithi naftëtarëve, bëhet fjalë për 2 mijë euro për naftëtarë, domethënë 2.6 milionë lekë të vjetra për naftëtar.
Por naftëtarët kanë rroga minimale dhe pasiguri për nesër. Në vend që të kemi 5 mijë naftëtarë me një rrogë, me një pagë dinjitoze, nuk po them 2 milionë e 600 mijë, por të paktën 500 apo 600 mijë lekë, kemi Beson me një grusht njerëzish që fusin në xhepat e tyre 10 milionë euro në muaj dhe i ndajnë me Edi Ramën, me Damian Gjiknurin, me Arben Ahmetajn me shokë. Ky është realiteti i Shqipërisë sot, qeveritarët e korruptuar e kanë kapur për fyti buxhetin e shtetit. Një grusht monopolistësh po vjelin pasuritë e shqiptarëve dhe nga ana tjetër mbështeten tek një grusht kriminelësh që shfrytëzojnë mijëra shqiptarë, midis tyre fëmijë dhe gra për ta mbjellur Shqipërinë me hashash”, theksoi ai.