PD: Beqja dhe Rama kërkojnë të sanksionojnë me ligj biznesin kriminal me barnat

499
Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Roland Keta, akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja se i “kanë hapur dyert ilaçeve të dyshimta e të skaduara, duke vënë në rrezik jetën e pacientëve, por duke ndërtuar gjithashtu një biznes me fitime marramendëse”.
“Një vit më parë, me bekimin e Edi Ramës, Ilir Beqja futi duart në sigurinë e medikamenteve, për t’i hapur rrugën klientelës qeveritare, përmes modifikimit që i bëri tenderit me urdhrin e tij. Pas kësaj, ne pamë se në spitalet tona plasën skandalet e barnave me origjinë të dyshimtë, që paguheshin shtrenjtë nga qytetarët dhe nuk ishin efektivë. Sot, këtë çmenduri, këtë kaos, mungesë kontrolli e sigurie për medikamentet, Ilir Beqja kërkon ta sanksionojë me ligj. Qeveria, Edi Rama dhe Ilir Beqja, po kërkojnë të heqin pikërisht atë nen të ligjit që shërben si garanci për ilaçet që hyjnë në vendin tonë”, tha deputeti demokrat.
Keta shtoi se “ligji aktual nuk lejon futjen e një medikamenti që nuk ka qarkulluar të paktën dy vjet në vendet e Bashkimit Europian”.
“Kjo garanci për pacientët shqiptarë është pengesë për biznesin e Ramës dhe Beqajt, ndaj ata po kërkojnë ta heqin, duke vënë në rrezik shëndetin, sigurinë e barit, cilësinë e tij. Partia Demokratike e dënon fuqimisht këtë përpjekje kriminale të Ramës dhe Beqajt, dhe fton qytetarët të reagojnë për të mbrojtur shëndetin e tyre. Të mos lejojnë këmbimin e shëndetit me biznesin e ilaçeve të dyshes Rama-Beqja”.
Sigal